Tashmë kemi lënë pas gushtin dhe kemi hyrë zyrtarisht në stinën e vjeshtës. Ky ndryshim stinësh, sigurisht që ndikon dhe në muzikë.

Nëse deri para pak javësh ishim më të prirur drejt këngëve ritmike, tani preferojmë disi më shumë baladat melanlolike. Kjo mund të shihet dhe në renditjen e Top 5 të kësaj jave.

Vendi i parë këtë javë ka shkuar për Luiz Ejllin me “Më fal”. Vendi i dytë shkon për Threex me “Eyes on me”.

Një tjetër baladë renditet në vend të tretë, Vanesa Sono me “Një gotë”. Në vend të katërt për këtë javë është renditur Ergita Bahja dhe Shpat Kasapi me “M’thirr” me 4 vende më lart. Top 5 mbyllet me “Benz” nga Akili dhe Visjan Ukcenaj me 9 pozicione më lart nga java e kaluar.

Sa i përket hyrjeve të reja, Ago, Buta, Singi dhe Lumi B kanë bashkuar forcat për të krijuar një nga bashkëpunimet më me zë të momentit të rrymës hip hop. Nga ana tjetër një tjetër bashkëpunim bëhet pjesë e listës për këtë javë mes Varrosi, Lyrical Son, Grof, të cilët kanë vendosur ta titullojnë “Besa Besë”.

Melodajn ka publikuar këngën e saj të re të quajtur “Si Atëherë”. Ka një ndjesi të butë akustike me disa tinguj kitare së bashku me vokal të bukur e të qartë. “Si Atëherë” është kompozuar nga Melodajn Mancaku (muzikë dhe tekst) me produksion të Wendi Mancaku. Ndërsa kitara është nga Etmond Mancaku. Stiv ka publikuar projektin e tij të radhës që mban titullin “Love” dhe bëhet këtë javë pjesë e “The Top List”.