Muzika ka qenë gjithmonë një hapësirë ku shumë personazhe publikë kanë zgjedhur të sfidojnë veten, edhe pse nuk kanë nisur karrierën si këngëtarë. Moderatorë, aktorë, modele apo figura të njohura të televizionit kanë eksperimentuar me projekte muzikore, disa duke fituar pëlqimin e publikut, e disa duke ngjallur diskutime.
Së fundmi, këtij grupi i është bashkuar edhe Mateo Borri, i njohur fillimisht nga emisioni i dashurisë “Përputhen”, më pas nga eksperienca në “Big Brother VIP Albania 5” dhe tashmë si pjesë e emisionit sportiv “Top Arena” në Top Channel. Ai ka publikuar këngën e tij të parë, “Kur të jesh larg”, një projekt romantik që flet për dashurinë, mungesën dhe emocionet e një historie romantike.
Sigurisht, Mateo nuk është i pari që zgjedh të eksplorojë botën e muzikës. Një nga emrat më të suksesshëm në këtë drejtim është Luana Vjollca. Edhe pse karrierën e ndërtoi në televizion, ajo arriti të krijojë një profil të fortë edhe si artiste, duke sjellë hite që kanë grumbulluar miliona klikime dhe janë bërë pjesë e playlist-ave.
Edhe Alketa Vejsiu ka eksperimentuar me muzikën në disa momente të karrierës së saj. Projektet e saj muzikore kanë qenë të lidhura kryesisht me spektaklet televizive dhe eventet e mëdha, duke treguar një tjetër anë të moderatores së njohur.
Një tjetër shembull është Moza Ahmeti, e cila, ndonëse është një shkrimtare e njohur dhe e talentuar, provoi gjithashtu të sillte projekte muzikore, duke u bërë pjesë e listës së figurave publike që kanë kaluar kufijtë e profesionit të tyre.
Një tjetër emër është Donald Veshaj. I njohur fillimisht si aktor dhe moderator, ai ka sjellë disa projekte muzikore që janë pritur mirë nga publiku, veçanërisht pas pjesëmarrjes në “Big Brother VIP.” Edhe vëllai i tij, Romeo Veshaj, ka eksperimentuar me muzikën, duke sjellë këngë dhe bashkëpunime që kanë tërhequr vëmendje dhe kanë treguar një tjetër anë të tij artistike.
Nga bota e humorit vjen edhe Visjan Ukcenaj, i cili ka publikuar projekte muzikore me nota humori por jo vetëm, dhe ritme moderne, duke i qëndruar besnik stilit që e ka bërë të njohur.
Në fakt, vitet e fundit është bërë gjithnjë e më e zakonshme që personazhet publikë të mos kufizohen vetëm në një fushë. Publiku është më i hapur ndaj artistëve që eksperimentojnë dhe platformat dixhitale u japin mundësinë të provojnë veten në zhanre të ndryshme. Natyrisht, reagimet janë të ndryshme, disa projekte kthehen në hite, ndërsa të tjera mbeten thjesht një eksperiencë interesante.
Pikërisht në këtë frymë vjen edhe debutimi i Mateo Borrit. Me “Kur të jesh larg”, ai prezanton një anë tjetër të vetes, duke lënë për pak kohë pas fitnesin dhe ekranin për t’u shprehur përmes muzikës. Nëse ky do të jetë vetëm një projekt i vetëm apo fillimi i një rruge më të gjatë artistike, mbetet për t’u parë. Ajo që dihet është se gjithnjë e më shumë figura publike po zgjedhin të mos vendosin kufij për talentin dhe pasionet e tyre.