Në një treg muzikor ku këngët shpesh kanë një jetëgjatësi të shkurtër në klasifikim, Luiz Ejlli po dëshmon se suksesi i vërtetë matet me qëndrueshmëri. Artisti ka arritur një tjetër rekord të rëndësishëm në klasifikimin e 100 këngëve më të mira moderne shqiptare në “The Top List”, ku kënga e tij “Dy Fjalë” vazhdon të mbetet pjesë e listës për plot 60 javë radhazi.

“Dy Fjalë”, një baladë emocionale që u publikua vitin e kaluad, u prit menjëherë pozitivisht nga publiku falë tekstit të ndjerë dhe interpretimit karakteristik të Luizit. Kënga arriti të krijojë një lidhje të fortë me dëgjuesit, duke u kthyer në një nga projektet më të suksesshme të repertorit të tij të viteve të fundit.

Sipas renditjes së kësaj jave të “The Top List”, “Dy Fjalë” vazhdon të qëndrojë në mesin e këngëve më të preferuara të publikut shqiptar, duke shënuar javën e saj të 60-të në klasifikim. Ky është një tregues i qartë i ndikimit që kënga ka pasur tek dëgjuesit dhe i besnikërisë së fansave ndaj artistit.

Nuk është hera e parë që Luiz Ejlli vendos rekorde në klasifikim. Gjatë viteve të fundit, ai ka dominuar vazhdimisht listën me projekte të ndryshme, duke mbajtur shpesh disa këngë njëkohësisht në pozicionet më të larta të renditjes.

Arritja e “Dy Fjalë” konfirmon edhe një herë se Luiz Ejlli mbetet një nga emrat më të fuqishëm të muzikës. Me këtë rekord të ri, Luiz Ejlli jo vetëm që forcon pozitat e tij në skenën muzikore shqiptare, por dëshmon se muzika e krijuar me emocion dhe autenticitet vazhdon të mbetet fituese në zemrat e publikut.