Dalëngadalë po i afrohemi javës së 300-të të klasifikimit të përjavshëm në “The Top List”, “Top Awards”. Kemi pasur si pjesë të listës shume projekte të mira që votat tuaja kanë vendosur se sa gjatë do qëndronin në klasifikim si dhe vendin e tyre.
Shumë projekte të reja na janë bashkuar dhe shumë të tjera fatkeqësisht nuk janë më pjesë e listës. Megjithatë janë disa këngë që i rezistuan kohës dhe publiku vazhdon që t’i votojë dhe t’i ketë si të preferuara. Më poshtë po ju njohim se cilat janë ato.
Vendin e parë si kënga me ‘jetëgjatësinë’ më të lartë në “The Top List”, e merr Yll Limani me projektin e tij “Buzët e kuqe”. Kjo këngë ka qendruar për plot 47 javë si pjesë e klasifikimit. Mesa duket kjo këngë e Yllit që flet për xhelozinë, ka qenë më e preferuara e publikut. Ku i dihet, mbase të gjithë e kemi një anë tonën shumë xheloze dhe kjo këngë është himini i saj. Por përtej shakave, ashtu si çdo projekt i Yllit, edhe ky ka rezultuar një sukses i vërtetë. Ylli sjell vetëm hite! Momentalisht “Buzët e kuqe” renditet në vend të 35-të për këtë javë.
Së dyti, dashuria për nënën është padyshim më e madhja, më e forta dhe ajo më e sinqerta. Këtë na e tregon fare mirë Capital T me “Fjalt e Nanës”. Ky projekt ka qendruar si pjesë e listës për 40 javë. Me këtë këngë secili nga ne gjen pak nga vetja dhe ndoshta kjo është arsyeja që vazhdon dhe votohet kaq shumë. Këtë javë “Fjalt e Nanës” renditet në vend të 22-të dhe është ngritur me 10 pozicione nga java e kaluar.
“Nale” nga Adriano dhe Elio Deejay është kënga e tretë që ka qendruar më gjatë në “The Top List”. Ky projekt ka qenë pjesë e listës për 37 javë. Sigurisht që origjinali i kësaj kënge nga Adriano ka qenë gjithashtu shumë i pëlqyer nga publiku, por për ata që duan pak të renë dhe një dozë më ritmike, ky version i Elio Deejay ishte i duhuri. Kjo këngë renditet në vend të 87-të. Fatkeqësisht ka rënë me 77 pozicione nga java e kaluar.