Fenomenit të papërsëritshëm të “Big Brother VIP” nuk kishte si t’i shpëtonte dhe klasifikimi i “The Top List”, Top Awards. Le ta pranojmë, ky edicion i “BBV” ka thyer çdo rekord shikueshmëri dhe kudo flitet për të.
Në këtë garë të fortë për çmimin e madh, kishim dhe disa këngëtarë mes artistëve të tjerë të çdo fushe. Disa prej tyre madje krijuan edhe këngë menjëherëpas daljes së tyre nga shtëpia. Le të ndalemi pak tek artistët që ky spektakël i dha një shtytje më shumë në publik.
Fifi krijoi “Diell” teksa ishte akoma brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Duket se ajo kohë ka ndikuar mjaft pozitivisht në krijimtarinë e Fifit. Megjithatë pak pas hyrjes së saj në “Big Brother”, një tjetër këngë e saj u publikua dhe pati goxha sukses në atë kohë, “Ma more”, por sërish jo aq sa “Diell”.
Beatrix Ramosaj ka rrëmbyer fronin këtë javë me këngën “Faj”, një këngë që ajo e krijoi menjëherë pas daljes së saj nga shtëpia më e famshme në Shqipëri. Sigurisht që “Faj” lidhet me eksperiencën e saj brenda “BBV” dhe lidhjes së saj romantike të krijuar me Donald Veshaj. Kënga e fundit e Beatrix ka qenë “By my side”, e publikuar në qershor. Le të themi që “Faj” padyshim i dha një ngritje të madhe këngëtares.
Elgit Doda arriti një sukses shumë të madh që me publikimin e “TL”. Fakti që një nga banorët më të komentuar të “Big Brother VIP”, siç është dhe Donaldi, ka shprehur se është bazuar në një histori të tijën të dashurisë, i shtoi akoma edhe më shumë famë këtij projekti. Elgiti ama nuk u ndal me kaq. Ai solli dhe “Ku je”, këngë që e interpretoi edhe brenda shtëpisë së “BBV” dhe që gjithashtu pati një rritje të madhe. Nga ana tjetër ai ka publikuar së fundmi dhe “Fatal Love”, që është dhe fundi i kësaj trilogjie.
Nga ana tjetër kemi dhe Semi Jaupaj. Këngëtarja nuk ka patur një eksperiencë kaq të gjatë sa të tjerët, por sërish ishte dhe vazhdon të jetë një ndër banoret më të komentuara. Kënga e saj “Jetike” me të cilën është paraqitur në “Kënga Magjike 2021” ka patur një rritje të jashtëzakonshme në YouTube. Që me hyrjen e saj në shtëpinë e “BBV”, “Jetike” tashmë dëgjohet dhe këndohet më shumë se kurrë. Tashmë Semi ka publikuar dhe një këngë të re “Mos u kthe”, që mendohet se ka të bëjë me situatat e këtij spektakli, pikërisht me trekëndëshin Bora-Donald-Beatrix.