Pavarësisht se nga java në java klasifikimit të “Top Awards”, i shtohet projekte të reja muzikore, disa këngë ia kanë dalë ta përballojnë konkurrencën, duke qëndruar për një kohë të gjatë në listë.
Po cilat janë këngët më “jetëgjatë” në klasifikimin e “The Top List”?
Kënga që mban titullin si më “e vjetra” e klasifikimit është “Tela” bashkëpunimi i Kidës dhe Ermal Fejzullahut, e publikuar në qershorin e vitit 2019-të. Kjo këngë ka arritur të renditet në vendin e parë për tre javë në total, duke u shpallur kënga më e votuar dhe e pëlqyer nga publiku shqiptar. “Tela” këtë javë shënon plot 85 javë në listën e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne.
Yll Limani është një tjetër artist, kënga e të cilit ka mundur të përballojë cdo konkurrencë dhe bëhet fjalë për “Engjej”, e cila këtë javë shënon 56 javë në klasifikimin e “Top Awards”. Ky projekt muzikor, i publikuar në dhjetorin e vitit 2019-të, ka zënë vendin e parë për dy javë rresht, falë votave nga ana e publikut. “Engjej” është pozicionuar në vendin e 27-të në listën e 100 këngëve më të votuara të vitit 2020-të.
Në shkurtin e vitit që kaloi, Eugent Bushpepa vendosi të vinte me një projekt të ri muzikor, të shoqëruar me një videoklip, një gjë e rrallë për artistin. “Stay with me Tonight” është kënga që vazhdon ende të dëgjohet dhe votohet nga ana e publikut shqiptare dhe falë mbështetjës, ky projekt muzikor është pjesë e listës së këngëve më të vjetra të klasifikimit të “Top Awards”. Genti është poziconuar dy javë rresht në vendin e parë me këtë këngë, e cila është renditur tek treshja e këngëve më të bukura të vitit 2020-të. Këtë javë “Stay with me Tonight” shënon 50 javë në klasifikimin e “Top Awards”.