Harrojeni Yll Limanin romantik, kësaj radhe artisti ka vendosur të vijë ritmik.
Pas suksesit që korri me baladën “Ke pi sonte shumë”, e cila prej 14 javësh është pjesë e klasifikimit të “The Top List”, Limani ka prezantuar projektin e radhës.
Për këngën e re, artisti ka vendosur të bashkëpunojë me Dj Dagz & PM, duke ardhur më ritmik se kurrë më parë, mesa duket ideal për temperaturat e larta të kësaj vere.
“Besom” titullohet prurja më e re e Limanit, e publikuar rreth dy javë më parë, e cila duket se shumë shpejt do të shndërrohet në një hit muzikor. Falë sugjerimeve të fansave, ky projekt muzikor jo vetëm është bërë pjesë e listës zyrtare të “Top Awards”, por gjithashtu ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm, duke zënë menjëherë vendin e dytë.
Nëse Ylli do mund të mposhtë Elvanën, e cila prej 4 javë rresht mban kreun e klasifikimit, kjo mbetet për t’u të dielën në mesditë në programin e “The Top List”.