Një bashkëpunim surprizues por që nuk e dinim se na duhej! “Amore je ti”, bashkëpunimi më i ri mes Franc Korunit dhe Mariza Ikonomit, është kënga që i bashkohet këtë javë klasifikimit të “The Top List”, e qetë, e ngrohtë dhe thellësisht emocionale.

Që në tingujt e parë, kënga krijon një atmosferë intime, sikur të fton të ulesh, të mbyllësh sytë dhe të mendosh për personin e zemrës. Është ajo lloj muzike që nuk e dëgjon vetëm me veshë, por edhe me zemër.

Zërat e Franc Korunit dhe Mariza Ikonomit plotësojnë njëri-tjetrin në mënyrë shumë të ndjeshme, gjë që e bën “Amore je ti” të godasë në shenjë. Për të mos folur pastaj për videoklipin, i nxehtë dhe pasionant dhe që i shkon më së miri kësaj kënge. “Amore je ti” ka një dialog emocional mes dyshes, një shkëmbim ndjenjash që tingëllon i sinqertë dhe i vërtetë. E gjithë kjo në tërësi, ka krijuar një projekt që na tërhoqi të gjithë vëmendjen tonë.