Sot e ftuar në emisionin ”Live From Tirana” në Top Albania Radio, ka qenë një nga këngëtaret më të njohura, Mariza Ikonomi. Ajo ka folur në lidhje me projektin e saj më të ri këngën “Të dua ty” dhe është ndalur gjithashtu edhe tek dashuria dhe partneri i saj i ri. Duhet thënë se “Të dua ty” është rikthim i fuqishëm pas shumë baladave.

Vendosa që nuk do të bëja më balada. Për  këngën “Të dua ty” ka qenë një festival që më frymëzoi në fakt “Zambaku i Prizrenit”. Ajo këngë u mendua për atë festival. Pastaj këngën e kemi shkruar bashkë me Endri Shanin. Teksti e kam bërë vetë dhe u frymëzova nga dashuria siç edhe e kam thënë. Dola në festival dhe mendoja që nuk dua ta lë vetëm me kaq. Unë jam ka pak kokëkrisur për të tilla gjëra sepse nuk ka asgjë që mund të më kthejë pas kur vendos për diçka dhe prandaj vendosa që do ta bëja këtë këngë sepse kisha besim. Sidomos kur e dëgjoja më të afërmit e mi dhe me të dashurin tim, e këndonin shumë lehtë dhe prandaj mendova që ta bëj klipin dhe ta lançoj. 

Mariza ka shtuar gjithashtu se:

Kur e mendon dashuria nuk është vetëm ajo mes dy personave por është diçka më e thellë, është një dashuri universale. Dashuria për qytetin, për njëri-tjetrin, për këngën, për lulet. Ky klip ka dalë ndryshe sepse unë doja që të ishte ndryshe.

Ka një domethënie dhe simbolikë Tirana në klip?

Unë jo më kot e kam zgjedhur Tiranën. Unë jam e frymëzuar nga qyteti. Tirana për mua është shumë e shtrenjtë. Vendet dhe rrugicat kanë një domethënie të veçantë shumë. Më ka frymëzuar gjithmonë. E doja edhe Tiranën aty. Gjithçka ka lidhje me mua. E kam realizuar ashtu siç unë e doja. E shikon sa shumë të frymëzon dashuria.

Çfarë do të kemi së shpejti?

Po përgatitem për Këngën Magjike. Kjo është kënga e radhës që është pritur jashtëzakonisht shumë mirë deri tani. Na mbetet të presim. 

Në këtë periudhë kanë dalë lajme se ke filluar një kapitull i ri sentimental. Sa e pëlqen partneri yt këngën e re?

Në fakt kjo ka qenë një nga këngët që ne ia kemi kushtuar njëri-tjetrit, ose unë ia kam kushtuar atij. Muzika edhe teksti është frymëzuar prej tij. E kemi kënduar shumë shpesh bashkë.  Kishte një ‘vibe’ shumë të mirë. Kjo është kënga e parë që unë i kam kushtuar dhe shpresoj që të vazhdoj t’ia kushtoj sepse nuk ka gjë më të bukur sesa të frymëzohesh nga dashuria. Unë vërtet ndihem e dashuruar dhe e lumtur. 

Kush thotë më shpesh ‘Të dua’?

Po kush i ka numëruar? Ajo është me ndjesi. Unë jam njeri i çiltër dhe nuk e shikoj sa herë është thënë. Sigurisht që thuhet shpesh. 

Sa është plotësuar gjysma e Marizës?

Unë mund të them se jeta ka marrë një kuptim të bukur. Ndihem vërtet shumë mirë. Ditët janë edhe më motivuese dhe më të bukura. Është me të vërtetë një bekim që ta ndiesh veten mirë. Por kur gjen një person kupton që gjithçka ka nisur një kapitull të ri. Është një gjë sublime.

Çfarë ju tërheq më shumë tek njëri-tjetri?

Unë e kam shumë të vështirë që të flas për këtë pjesë sepse jam shumë diskrete dhe dua t’i mbaj disa gjëra për vete. 

Mariza gjithashtu ka folur edhe në lidhje me martesën.

Besoj që martesa me personin e duhur nuk është asnjeherë gabim. Mua nuk më frikson por edhe nuk jam nga ata që vdiqa për t’u martuar. Unë i dua festat. E rëndësishme është se si ndihesh me njëri-tjetrin pastaj këto gjërat janë të bukura dhe mund të mbetet një kujtim por nuk është gjithçka.