Eneda Tarifa ka publikuar së fundmi këngën e saj “Kjani trima”, një ripunim i një kënge të vjetër arbëreshe që ajo e ka sjellë në një version shumë modern. E ftuar në “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ajo na ka folur më shumë lidhur me këtë projekt në veçanti dhe jo vetëm.
Si fillim, si lindi “Cep me cep”?
Ishte Renisi që ishte duke përgatitur disa bashkëpunime me miqtë e vetë këngëtarë. Një ndër to që kihte përzgjedhur isha dhe unë. E pranova me kënaqësinë më të madhe, sepse Renisi hyn tek ata muzikanët e mirë dhe zërat e bukur të muzikës moderne. Thamë që duhet të ishte një këngë verore, meqë kishim verën para. Më doli vetë teksti. E kam patur të vështirë të shkruaja një tekst kënge, por ja dola në fund.
Cili është ai kujtim që do e mbash mend gjatë nga realizimi i këtij projekti?
Klipi u bë brenda një dite, por koncepti ishte shumë i këndshëm. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ishte kombinimi i gjërave. Ishte sikur ta kishim menduar se çfarë do të bënim, por nuk ishte kështu. Pastaj erdhi “Kjani trima” që ishin 4 ditë xhirime dhe shumë shpenzime. Për këtë kam shpenzuar pa frikë 10 mijë euro. Por nuk punova shumë me PR, gabimi im. Por tani do vazhdoj ta bëj më prezente për njerëzit. Mbase nuk ishte periudha e duhur kur e nxora sepse ishte dhe muaji gusht. Por tani njerëzit janë më të qetësuar e më të fokusuar dhe kanë filluar ta vënë re dhe ta pëlqejnë. “Cep me cep” trokiti më shpejt, por do ta marrim veten dhe me “Kjani trima”.
Çfarë do të kemi së shpejti nga Eneda?
Unë am marrë një periudhë pauze nga interviststat sepse më shpërqëndron nga puna ime individuale krijuese për të finalizuar nga prilli ose maji, ëndrrën e çdo këngëtari, një recital. Është kurora e gjithë karrierës tënde. Ne këtu i kemi si recitale jete, sepse është pak më e rrallë. Tani vjen fundviti dhe nuk kam ndërmend t’i lë festat ku do të thirrem për të performuar, por do përzgjedh që të mos kem lodhje fizike sepse dua të marr energjitë për recitalin.