Të dyja janë artiste të talentuara, të cilat përveçse kanë shkëlqyer në tregun muzikor shqiptar, Elvana Gjata dhe Era Istrefi tashmë gjenden të pranishme edhe në tregun ndërkombëtar me muzikën e tyre.
Dy këngëtaret prodhojnë vazhdimisht muzikë të re për t’i mbajtur fansat sa më pranë tyre por pavarësisht kësaj, muzika e prodhuar disa kohë më parë, ende vazhdon të dëgjohet nga mbështetësit e Elvanës dhe Erës.
Janë pikërisht dy projekte të vjetra muzikore të cilat kanë përplasur dy artistet për këngën më të vjetër në transmetim.
E pubilkuar marsin e vitit 2016, “Bonbon” e Era Istrefit, u shndërrua në një hit muzikor jo vetëm në trojet shqiptare por edhe jashtë saj. Kjo këngë, e cila e bëri këngëtaren të famshme në tregun muzikor ndërkombëtar, vazhdon ende të dëgjohet nga publiku shqiptar, i cili falë sugjerimeve e ka rikthyer këtë këngë sërish në “The Top List”. Ndërkohë që mund të cilësohet si kënga më e vjetër në transmetim, ajo gjendet përballë një tjetër kënge, e cila nuk ka ndërmënd të largohet nga klasifikimi i 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. Bëhet fjalë për bashkëpunimin e suksesshëm të Elvana Gjatës, Capital T dhe 2po2, “Lejla”, e cila prej 100 javësh gjendet në listën zyrtare të “Top Awards”.
E publikuar tetorin e vitit 2016, me shumë pak muaj diferencë me “Bonbon”, “Lejla” është një tjetër këngë që është tepër e vjetër në transmetim. Ndërkohë që të dyja këngët gjenden në listë, mbetet të shihet se kush do i rezistojë më gjatë konkurrencës dhe listës së 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.