E kush mund ta merrte me mend se një tenor do të hynte në listën e këngëve moderne shqiptare në Top Awards? Epo, Armaldo Kllogjeri ia doli!

Maestro, siç tashmë na pëlqen ta quajmë të gjithë, solli projektin e tij me titullin ”Ta dije”. Kjo këngë u krijua kur ai ishte ende banor brenda shtëpisë së ”Big Brother VIP Albania”, si një dhuratë për të gjithë vajzat dhe gratë shqiptare me rastin e 8 Marsit.

“Ta dije” u bë menjëherë pjesë e ”The Top List” dhe Armaldo u rendit në vendin e dytë që në javën e parë të publikimit. Megjithatë, javën e kaluar Noizy ’ia rrëmbeu’ këtë pozicionim Maestros me bashkëpunimin e tij me artistët ndërkombëtar, Russ Millions, Rondodasosa dhe Capo Plaza.

Por këtë javë kemi sërish një ndryshim. ”Ta dije” është pozicionuar 1 vend më lart nga java e kaluar dhe ”Dancer” ka rënë me 1 vend, duke ndërruar kështu sërish rolet.

E kujt ia merrte mendja që do kishim një ’duel’ mes Noizy-t dhe Armaldos?! Për vendin e parë nuk po flasim, pasi Luiz Ejlli kryeson sërish për të gjashtën javë radhazi.