Fenomenit të papërsëritshëm të “Big Brother VIP” nuk kishte si t’i shpëtonte dhe klasifikimi i “The Top List”, Top Awards. Në këtë garë të fortë për çmimin e madh, kishim dhe disa këngëtarë mes artistëve të tjerë të çdo fushe.

Disa prej tyre madje krijuan edhe këngë menjëherë pas daljes së tyre nga shtëpia. Por ama kishte dhe nga ata që publikuan këngë teksa ishin ende në shtëpi.

Kujtojmë këtu Fifin që edicionin e kaluar krijoi hitin “Diell” kur ishte ende e izoluar në “Big Brother VIP”. E duket se tradita ndoqi edhe këtë edicion.

Ishte fillimisht Luiz Ejlli që krijoi “Me Ty”, një dedikim për Kiara Titon për ditën e të dashuruarve. Me këtë këngë ai erdhi për herë të parë në “The Top List”. “Me Ty” është prej 31 javësh pjesë e klasifikimit dhe këtë javë renditet në vend të 11-të.

Shembullin e tij ndoqi dhe Armaldo Kllogjeri me “Ta dije”. Kënga e tij është prej 28 javësh në klasifikim dhe këtë javë është rritur me 50 vende duke shkuar në vend të 8-të.

Pas kësaj Dj Benito vendos që të sjellë remix-in e këngës së Luizit. Ky projekt është prej 21 javësh në klasifikim dhe renditet në vend të 13-të.

Po ashtu një projekt që ka bërë shumë bujë është “Si na” e Elvana Gjatës, këngë e kënduar në dasmën e Luizit dhe Kiarës në finalen e “Big Brother VIP”. Projekti është prej 19 javësh në klasifikim dhe renditet në vend të 6-të.