Artistë të vjetër e të rinj, kjo javë solli në klasifikimin e “The Top List” disa emra për herë të parë. Ja se për cilët bëhet fjalë…
Kastriot Tusha lindi në Elbasan, më 14 prill 1963. Shkollën e mesme artistike e kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1988 diplomohet në Akademinë e Arteve të Tiranës për kanto, me rezultate shumë të mira. Një vit më vonë, më 1989 fiton vendin e solistit në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Gjatë periudhës 1999-2006 emërohet pedagog i jashtëm në katedrën e kantos të Akademisë së Arteve dhe që nga viti 2006 e në vazhdim është pedagog pranë Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve. Përveç aktivitetit pedagogjik, ku i është dhënë titulli “Profesor i asociuar”, aktiviteti artistik i tij ka qenë shumë i ngjeshur dhe i larmishëm. Ai ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë në të gjitha skenat e vendit, duke përballuar me sukses një repertor të gjerë nga paraklasikët deri te bashkëkohorët. Disa prej roleve të realizuara me nivel të lartë artistik janë: Bepe te “Pagliaci”, Kola te “Paja”, Nadiri te “Peshkatarët e perlave”, Alfredo te “Traviata”, Doda te “Mrika”, Ruizi te “Trovatore”, Duka te “Rigoleto” etj. Ka realizuar mbi 100 koncerte vokale-instrumentale, si dhe një numër të konsiderueshëm koncertesh recitale. Është themelues i koncerteve të “Tre tenorëve” në Shqipëri dhe vazhdon t’i përballojë me sukses dhe përgjegjësi këto koncerte. Është lëvrues i suksesshëm i gjinisë së romancës, ku ka dhënë një kontribut të vyer në interpretimin dhe realizimin me sukses të shumë këngëve popullore, të cilat janë formate të mrekullueshme dhe që ndiqen nga këngëtarët e rinj. Kastrioti ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh brenda dhe jashtë vendit, si: në Itali, Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi, Rumani, Francë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Në vitin 2010 është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga ish-Presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi. Akademia e Çmimeve “Kult”, në vitin 2013 e nderon me çmimin “Këngëtari lirik i vitit” me “Romanca shqiptare”. Kastriot Tusha është një nga zërat më të bukur, më të veçantë dhe të papërsëritshëm të muzikës shqiptare, duke gëzuar vlerësim dhe respekt maksimal nga publiku i gjerë.
Me një stil unik, energji të jashtëzakonshme dhe talent të dalluar, DJ Gimbo është emri që ka shndërruar çdo set të tij, në një eksperiencë të paharrueshme për audiencën, për çka edhe është kthyer në emrin që me plot meritë ka fituar vendin në mesin e DJ-ve më të kërkuar. Gëzim Blakaj, është emri i atij që në skenë e njohim si DJ Gimbo. Gimbo ka punuar si DJ që kur ishte vetëm 13 vjeç, duke ndërtuar gradualisht reputacionin e tij në skenat muzikore. Ai njihet gjerësisht si DJ zyrtar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i këngëtarit të njohur Gjesti. Të dy kanë punuar ngushtë së bashku në projekte dhe shfaqje të shumta muzikore në të gjithë vendin dhe jashtë tij. I njohur për miksimin e tij dinamik dhe energjinë e lartë, ai është përshkruar në media si sinonim i suksesit dhe talentit në fushën e tij.
Mohamad Ramadan është aktor, këngëtar dhe interpretues nga Kajro. Ai u bë i njohur duke aktruar në shfaqje televizive dhe filma egjiptianë përpara se të niste një karrierë repi në vitin 2018 duke nënshkruar kontratë me Rotana. Suksesi i Ramadan në muzikë dhe aktrim e ka bërë atë një yll rajonal që po tërheq vëmendje edhe jashtë vendit. Në vitin 2019, atij iu dha çmimi AFRIMA dhe u kurorëzua artisti më i njohur në Afrikë. Mohamed Ramadan dëshmon se i ka qëndruar besnik rrënjëve të tij afrikane. Pavarësisht se ka fituar shumë njohje, ai nuk e ka harruar kurrë se nga ka ardhur, prandaj është një nga artistët më autentikë egjiptianë. Ai njihet si këngëtari i parë egjiptian në Spotify që ka pasur një milion dëgjues çdo muaj.