Alandy sa vjen e po bëhet më aktiv në muzikë duke publikuar herë pas here projekte të reja, qofshin ato bashkëpunime apo edhe solo siç e kemi parë së fundmi. Thënë kjo, Alandy ka lançuar këngën e tij më të re të titulluar “Vitamin”.
Ende pa ‘u zbehur’ suksesi i “Am do”, projekt që erdhi në bashkëpunim me Stine, artisti po vjen edhe njëherë tjetër vetëm. “Vitamin” është një këngë mjaft ritmike, por që duhet thënë që na erdhi disi si surprizë. Fundja Alandy qenka plot surpriza dhe i paparashikueshëm.
“Vitamin” ka arritur që të pozicionohet menjëherë në vend të 89-të të klasifikimit të “The Top List”, ndërsa “Am do” renditet në vend të 83-të për këtë javë. Megjithatë ky projekt i ri po pritet mjaft mirë nga publiku dhe fansat e Alandyt sa vijnë e shtohen.
Një frazë e “Vitamin” na ngeli disi në mendje: “djeg shaminë”. Kjo na bëri të mendojmë për një çast se artisti mund të jetë ndarë nga bashkëshortja e tij, Paloma. Por mos u shqetësoni, asgjë e tillë nuk ka ndodhur pasi dyshja nuk heziton asnjëherë ta shprehi dashurinë dhe mbështetjen e madhe që kanë për njëri-tjetrin në çdo çast.