I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë vokalisti i grupit Humus, Adnan Dragaj. Ai foli më shumë për projektet e tyre të fundit, por duke u ndalur dhe tek puna mbi albumin e ri…
Çfarë mund të na thuash mbi projektin “Amshim”, si lindi ai?
Në një moshë të caktuar që jam unë, njeri fillon të mendojë për mbi disa aspekte ekzistenciale dhe elementare të jetës. Nga vijmë, ku shkojmë, çfarë bëjmë në këtë tokë… E gjithë ajo që na është treguar se do të ketë një jetë të përtejme, apo asaj që na është thënë se edhe në këtë tokë mund të ketë ripërsëritje të eksiztencës. Të gjitha këto e afektojnë një njeri dhe ky ka qenë dhe motivi i këngës. Strofa flet për Amshimin, ndërsa refreni është më tepër i fokusuar nga ajo se çfarë na ofron toka.
Duke qenë se jeni pjesë e një grupi, kush është i pari që vjen me frymëzimin për të krijuar?
Kemi pasur fatin e madh që që në fillim kemi pasur një sinergji shumë të mirë me njëri-tjetrin. Të gjithë kemi bërë më parë muzikë me grupe të ndryshme. Dhe në një moment të caktuar jemi bërë bashkë. Sa i përket kompozimit të këngëve është interesante, sepse secili prej nesh vjen me një temë të caktuar dhe secili e bën pjesën e vet dhe ajo bën harmoninë e një këngë. Secili ofron atributin e tij.
Do të sillni së shpejti projekte të reja?
Kemi bërë një pauzë relativisht të gjatë dhe kemi punuar me shkëputje, por aktualisht jemi duke punuar me albumin e tretë. Tani i kemi publikuar katër këngë, “Amshim” është kënga e katërt nga albumit. Kemi vendosur të shkojmë këngë për këngë deri sa ta kompletojmë albumin. Pastaj realisht shpresojmë që të vazhdojmë me ‘live’. Një rock band pa ‘live’ nuk është band. (qesh) Të vijmë dhe në Tiranë…
Si u bëtë ju të katërt bashkë dhe si erdhi emri i grupit Humus?
Unë jam pak më i vjetër nga të gjithë, kam qenë aktiv edhe gjatë viteve ’80. Djemtë më kanë njohur si këngëtar dhe kishin dëshirë të bënin muzikë me mua dhe u zhvillua ideja të sillnim një grup bashkë. Erdhëm me këtë emër dhe ka qenë një spontanitet, pastaj vendosëm që ta mbajmë si emër. Megjithëse është pak e vështirë kur na kërkojnë në internet sepse gjejnë më shumë ushqim se sa ne (qesh).