menu

Unikkatil rimerr kreun dhe “Ni Milion Rrugë” shpallet hiti i verës sipas votave të publikut


Ora: 16:20 Datë: 20/08/2018

Unikkatil është rikthyer sërish në krye të klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. Projekti i tij muzikor, “Ni Milionë Rrugë”, ka qëndruar në vendin e parë për 6 javë rresht por për disa javë ai i mungoi kreut, duke u rikthyer sërish këtë javë falë mbështetjes së madhe nga ana e publikut.

Publikuar në prillin e këtij viti, “Ni Milion Rrugë” është projekti muzikor që e riktheu reperin e dashur të publikut shqiptar sërish në tregun muzikor pas disa kohësh mungesë.

I njohur për tekstet e tij pikante, Unikkatil edhe kësaj radhe ka ardhur me një “poezi” kushtuar vështirësive të jetës, fëmijërisë së tij në shkollën fillore dhe më pas në shkollën e mesme, e cila menjëherë ka rrëmbyer vëmendjen e publikut shqiptar. I pa shoqëruar me një videoklip, pa praninë e femrave të zhveshura apo makinave të bukura, Unikkatil preferon të transmetojë tek fansat muzikën e tij të vërtetë.

Pavarësisht se prej vitesh, Unikkatil është shkëputur nga Shqipëria, fansat e tij i kanë qëndruar besnikë muzikës së tij dhe këtë e vërteton më së miri fakti se kënga e tij “Ni Milion Rrugë” është shpallur hiti i verës 2018.

Prej javësh në faqen zyrtare të “Top Awards” është hapur një sondazh, i cili përfundon sot,  sa i përket hitit të kësaj vere, ku në garë qëndronin 10 këngë. Votat maksimale i ka marrë pikërisht Unikkatil me 37.65% ndërsa vendi i dytë i përket bashkëpunimit të suksesshëm të Elvana Gjatës, Ledri Vulës dhe John Shahut, “Mike” me 27.8%. Në vendin e tretë është renditur bashkëpunimi i Tayna dhe Don Phenom, “Columbiana” me 14,11% të votave, një këngë që për 7 javë ka qëndruar në krye të listës të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Pozicionimi i këngëve të tjera është si më poshtë:

Vendi 4: LEDRI VULA FT. LYRICAL SON – PRINCESS DIANA 5.75%
Vendi 5: GHETTO GEASY FEAT. FLORI MUMAJESI – DASHNI ME RAKI 4.83%
Vendi 6: ARDIAN BUJUPI & XHENSILA – CIKA CIKA 4.05%
Vendi 7: LEDRI VULA X BUTA – MERRI MERRI 3.13%
Vendi 8: ALBAN SKENDERAJ FT. MC KRESHA – PING PONG 1.55%
Vendi 9: ÇARTANI FT. DON PHENOM – SMOKING CUBANA 0.6%
Vendi 10: DON PHENOM – JENA LIT 0.53%