Dy projektet e fundit të publikuara nga Kida duket se janë në konkurrencë me njëri-tjetrin dhe këtë e vërteton më së miri renditja në klasifikimin zyrtar të “Top Awards”. Kjo javë ka ardhur me ndryshime sa i përket vendit të parë ndërsa vendi i dytë dhe vendi i tretë vazhdojnë të mbeten të njëjtë si edhe javën e kaluar, duke mos humbur apo fituar ndonjë pozicion.

“Tela” e Kidës dhe Ermal Fejzullahut

Edhe pse është publikuar rreth një javë më parë, Kida dhe Ermal Fejzullahu kanë mundur të prekin telat e zemrës së gjithë publikut shqiptar, duke arritur të shpallet kënga më e dëgjuar dhe votuar e javës. Ndërkohë që javën e kaluar ky projekt muzikor renditej në vendin e 16-të, këtë javë mbështetja e publikut e ka ngjitur “Tela” me 15 pozicione.

“Deja Vu” e Kidës dhe Lyrical Son

Pavarësisht se për tre javë rresht ka zënë vendin e parë, kjo javë ka rezultuar jo aq shumë e suksesshme për bashkëpunimin e Kidës dhe Lyrical Son. Votat e fansave kanë bërë që “Deja Vu” të humbase rreth 13 pozicione nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e 14-të. Duket se fansat momentalisht po shijojnë prurjen e re të Kidës.

“Rio” e Ledri Vulës dhe “Duamë” e Alban Skënderaj & Miriam Canit

Projekti më i ri i Ledri Vulës është shndërruar shumë shpejt në një ndër këngët më të dëgjuara të ditëve të para të nxehta të verës. “Rio” mund ta dëgjojnë në çdo makinë apo klub nate me volumin në maksimum. Kjo këngë ritmike verore vazhdon të ruajë të njëjtin pozicion si edhe javën e kaluar, pikërisht në vendin e dytë.

Alban Skënderaj dhe Miriam Canit kanë goditur sërish në shenjë me një tjetër bashkëpunim dhe kësaj radhe kanë ardhur tepër romantik dhe me tinguj tepër ritmik, duke iu përshtatur më së miri temperaturave të larta. “Duamë” nuk ka ndryshuar asnjë pozicion nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e tretë.