menu

“Nentori” i Alban Skënderaj. Kush ka kryesuar në dy nëntoret e kaluara në klasifikim?


Ora: 14:07 Datë: 08/12/2018

Projekti më i ri i Alban Skënderaj u prit mjaft mirë nga publiku shqiptar, i cili përmes votave të tij, e ka shpallur “Nentori, 26” këngën më të preferuara të javës, duke kryesuar “The Top List”.

Në një komunikim me “Top Awards” pak ditë më parë, Albani falenderoi të gjithë fansat e tij që kanë pëlqyer këtë projekt muzikor, i cili sipas tij është ndryshe nga këngët e tjera dhe zë një vend të veçantë në repertorin e tij muzikor.

Duket se fansat kanë vlerësuar origjinalitetin e kësaj kënge pasi në një postim të bërë në rrjetet sociale, Albani ka treguar se kjo këngë është bërë vetëm me një regjistrim dhe pa asnjë ndalesë. Ai ka shtuar gjithashtu se zëri i tij i ngjirur dhe koha gri, u harmonizuan dhe sollën “Nëntori, 26”, që ka prekur zemrat e publikut shqiptar.

Ndërkohë që ky nëntor i përket Albanit, po dy nëntoret e kaluara, kush i ka kryesuar?

Po të kthehemi pas në kohë, ekzaktësisht nëntorin e vitit të kaluar, vëmë re që ka qënë Dafina Zeqiri me projektin e saj “Told Ya”, ajo që ka kryesuar për tre javë rresht klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. Ky ishte projekti i dytë i këngëtares i publikuar jo vetëm për publikun shqiptar po edhe për atë ndërkombëtar.

Ndërsa nëntori i 2016-ës i përkiste bashkëpunimit të suksesshëm të Elvana Gjatës, Capital T dhe 2po2, “Lejla”. Ky projekt muzikor, i cili korri nje super sukses, vazhdon ende të dëgjohet dhe votohet nga publiku, duke thyer rekord , si kënga më jetëgjatë e klasifikimit të “The Top List”, me plotë 111 javë.