menu

Luana Vjollca bashkon fuqitë me TNT dhe rikthehet në “The Top List”


Ora: 16:19 Datë: 19/06/2019

Ka kaluar thuajse një vit që nga koha kur Luana Vjollca ka qënë për herë të fundit pjesë e klasifikimit të “Top Awards”. Ka qënë pikërisht kënga “Vetem ty”, e cila ka qëndruar në “The Top List” për 9 javë rresht, duke u larguar në shtator të vitit 2018-të.

Luana Vjollca dhe Bujar Qamili

Moderatorja dhe këngëtarja vendosi të sillte një stil të ri në repertorin e saj muzikor dhe bëhet fjalë për ripërpunimin e këngëve të vjetra. Ajo zgjodhi një artist shumë të njohur dhe një këngë mjaft të dëgjuar nga publiku shqitar, tekstin e së cilës e dinë të gjithë. “Mi dhe flake zjarrit tim ” është kënga që erdhi në një version modern nga Luana dhe Bujar Qamili, duke rezultuar tepër e pëlqyer nga publiku shqiptar. Pavarësisht kësaj, kënga nuk arriti të merrte sugjerimet e mjaftueshme për t’u futur në klasifikim.

Luana Vjollca dhe Dani

Pas suksesit me Bujar Qamilin, Luana vijoi bashkëpunimin me artistë të muzikës popullore dhe kësaj radhe zgjodhi artistin Dani. “Sonte” titullohet kjo prurje e Luanës dhe Danit publikuar rreth një muaj më parë, e cila gjithashtu nuk mundi të futej në klasifikim, duke mos marrë sugjerimet e mjaftueshme.

Luana Vjollca dhe TNT

Një tjetër ripërpunim dhe kësaj radhe me këngën më të dëgjuar të të gjitha kohërave. “Moj Bjondine me sytë e zi” është kjo kënga, të cilën Luana e ka sjellë në bashkëpunim me TNT. Shumë komentues e cilësojnë këtë këngë si një rikthim të ditëve të fëmijërisë, versioni origjinal i së cilës titullohet “Moj biondine” dhe është publikuar në vitin 1994.

Faleminderit Grupit TNT për këtë ftesë të më ofrohet kjo këngë legjendare që tërë jetën e kam kënduar e dashur shumë fortë. Është nder për mua! Unë, motra dhe mami ia kemi dedikuar gjithmonë këtë këngë njëra-tjetrës”, shkruan moderatorja bukuroshe në një postim të bërë në rrjetin social “Instagram”, sa i përket kësaj kënge.

Sugjerimet e publikut jo vetëm e kanë futur në klasifikim por e kanë renditur këtë këngë mjaft mirë në listë, ekzaktësisht në vendin e 13-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për “The Top List”, e cila përbëhet nga 100 këngë.