Artisti i njohur Muma ka qenë i ftuar në një lidhje telefonike për emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio. I njohur për një sërë projekt muzikore, Muma ndër të tjera, ka folur edhe për një nga këngët më të preferuara dhe më të suksesshme “Pa ty”. Artisti nuk la asgjë pa zbuluar, nga ndryshimet që sheh mes këngës origjinale dhe bashkëpunimit me Dafina Zeqirin, deri te nga është frymëzuar për këngën.

I pyetur për dy versionet e këngës, Muma është shprehur:

Me Dafinën është një masterpiece, një high class, por origjinali ka diçka që nuk e ka me Dafinën dhe versioni tjetër ka diçka që nuk e ka origjinali. Me Dafinën është më e plotësuar, ka zërin e femrës… Plus Dafina, stili, vibe… Të dy versionet janë padiskutim të ndryshme dhe me remiks erdhi diçka ndryshe.

Por a ishte kjo këngë dedikim?!

Jo. Me thënë të drejtën nuk ia dedikoj askujt këngët e mia. Mendoj që njerëzit që janë tradhtarë nuk e meritojnë një këngë të bukur… Është fryt i fantazisë sime.

Ai gjithashtu tregoi për këngën e lançuar së fundmi me Elinel të titulluar “Për tradhëtinë”.

Ka qenë një këngë që ka lindur edhe në sajë të respektit që kemi me njëri-tjetrin. Kemi punuar, ka provuar pjesën e vet dhe ka dalë shumë bukur.

Por pse nuk e shohim shpesh nëpër intervista Muma-n?

Emisionet televizive më kanë krijuar antipati, janë konsum imazhi. Dikush bën një libër dhe ftohet në emision. Nuk ka ngelur askush pa dalë në televizion… Një artist pa media është zero. Unë jam person që jam pak detajist dhe kur shikoj gjëra të tilla s’më pëlqejnë… Më duket sikur nuk e respektoj aq sa duhet veten prandaj iu shmangem televizioneve…

Cila ka qenë paga më e vogël që Muma ka marrë ndonjëherë për një projekt?

100 mijë lekë ka qenë pagesa më e ulët. Unë kam qenë shumë falenderues. M’i ka dhënë Kledi Bahiti për këngën e Erik Lloshit. Ka pasur dhe raste që kam shkruar këngë për të cilat nuk më është publikuar emri. 

Si ndihet Muma për faktin që shumë këngë të suksesshme të tij janë kënduar nga artistë të tjerë?!

Shumë hite mbajnë emrin tim. Unë nuk jam egoist. Unë si artist në fushën e këndimit mbase nuk kam yllin në ballë.

Muma qendron në klasifikimin e “The Top List” me 3 projekte. “Pa ty” me Dafina Zeqirin dhe Cricket në vend të 8-të, versioni origjinal i “Pa ty” në vend të 52-të dhe bashkëpunimi i tij i fundit me Elinel “Për tradhëtinë” në vend të 78-të.