Ajo që i nevojitet në fillim të karrierës një këngëtari të ri për t’u lançuar në tregun “e pamëshirshëm” muzikor është një promovim i mirë, një prodhim serioz dhe një emër i njohur që të bëjë goditjen e menjëhershme. Dhe ashtu ndodhi: ThreeDots lançon më 14 korrik të vitit 2015 këngën “Love me”, të Elvana Gjatës dhe Brunos: një klip i xhiruar i gjithi me celular (jo pa qëllim), një këngë e thjeshtë dhe mjaft e kapshme për veshin e publikut shqiptar, me regjinë e së cilës është marrë vetë Elvana. Dhe ishte një sukses i menjëhershëm: sot shënon plot 25,801,216 klikime në YouTube.

Askush nuk e njihte Brunon, por ama të gjithë njihnin Elvanën dhe në një duet me Elvanën, suksesi është i garantuar.

Sot, Bruno nuk është më djaloshi që i këndon dashurisë me kitarë ulur në bordurat e Prizrenit. Projekti i tij i rradhës i lançuar më 25 prill, me titull “Ajo” është një këngë dashurie shumë origjinale, me nje klip modern dhe mjaft cilësor. Me gjithë klikimet e kursyera në YouTube, kënga e Brunos ngjitet drejt e në vendin e dytë të “The Top List”, vetëm një javë pas publikimit zyrtar.

I kontaktuar nga Top Awards, Bruno shprehet aspak i shqetësuar për klikimet, përkundrazi, ai është mjaft i kënaqur me ecurinë e këngës: “Për këtë projekt është punuar shumë, është bërë një punë ekipi dhe është investuar shumë dashuri. Që një këngë të pëlqehet, është synim jo vetëm i imi, por i gjithë artistëve që punojnë më shpirt për të përcjellë një mesazh, ku publiku të gjejë veten”, – thotë Bruno.

Sa i përket këngës së Nora Istrefit “Sa t’kom dasht”, për të cilën u bë zhurmë e madhe se “iu mor” Brunos për t’iu dhënë Norës, ai preferon të mos komentojë.

Gjithsesi, Bruno sot gëzon vendin e dytë në renditjen zyrtare dhe suksesin e një kënge solo, ku ai ka dhënë pa diskutim më të mirën e tij.