Debutimi i tij muzikor ka qënë relativish vonë, vitin e kaluar, por brenda një periudhe të shkurtër kohore, Yon Idy është shndërruar në një artist mjaft të pëlqyer për publikun shqiptar.
Ndërkohë që ishte pikërisht “Gentle”, kënga debutuese, që e bëri kantautorin pjesë të klasifikimit zyrtar të Top Awards, ai ka qënë disa herë i pranishëm në listë me prodhime të tjera muzikore.
Së fundmi është kënga “Back Around” që e risjell artistin sërish në klasifikim pas këngës “Waste No Love”, e publikuar rreth dy muaj më parë dhe që qëndroi për disa javë në listë.
Sa i përket prurjes më të re muzikore, Yon Ydy ka vetëm pak ditë që e ka nxjerrë në treg dhe menjëherë ka marrë sugjerimet e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
Pavarësisht se notat muzikore nuk janë aq ritmike për temperaturat e larta të verës, këngëtari ka ditur sërish se si të rrëmbejë zemrat e publikut me melodinë e tij të qetë por të veçantë. “Back Around” për këtë javë mban vendin e 43-të.