Stine ka sjellë së fundmi këngën “Çfarë të kam bërë”, një projekt që në fakt është krijuar 13 vite më parë por vetëm tani ka gjetur kohën ta publikojë. Artisti ka qenë i ftuar në “Wake Up” për të folur më shumë mbi këtë këngë, por edhe të tjerat që do të vijnë së shpejti…
Si erdhi ideja për të sjellë një këngë që qëndronte në arkiva?
Tani kemi vendosur t’i nxjerrim këngët e vjetra që i mbanim në sirtar. Historia e kësaj kënge ka dalë kur ka qenë shumë pjesë emocionale e imja. Nuk është dedikim, sa është shprehje emocionale. Nuk është për një person specifik. Unë së shpejti do të sjell albumin, edhe pse ka ikur pak koha, por unë jam tek pjesa klasike. Është e domosdoshme sepse është njësoj sikur një shkrimtar të ketë poezi por jo libër.
Ke menduar për titullin?
Titullin e kemi lënë të hapur, por kjo është gjëja e fundit. Dua të nxjerr këngët që njerëzit t’i dëgjojnë. Nuk ka vetëm një rrymë, ka një larmi këngësh dhe rrymash. Nuk janë vetëm këngë dashuri, ka edhe tema të tjera.
Ti ke marrë pjesë në Top Fest dhe ke fituar. Çfarë ndjen kur shikon Stinen e atëhershëm, kur kanë kaluar gati 20 vite?
Kanë qenë kohë shumë të bukura që nuk vijnë më. Për këtë jemi këtu, që të lëmë kujtime të bukura. Me këngën e parë kam fituar në Top Fest. Këtu vendosa që të kthehesha nga Gjermania, sepse jetoja aty në atë kohë. Gjermania është e gjermanëve, jo e shqiptarëve. Nuk ka si vendi yt. Emigrimi është si ushtri, nëse nuk shkon në ushtri, shkon në emigrim. (qesh).
Çfarë mendon për tregun aktual?
Ka shumë artistë të rinj shumë të talentuar që duhet të dalin. Duhet të dalin mendje të reja, zëra të rinj. Ndryshon muzika, ndryshon çdo gjë. Edhe në kompeticione e kanë marrë çmimin artistët e vjetër, jo të rinj. Në Top Fest u nxorrën artista të rinj, të vjetrit nuk pranuan të merrnin pjesë në fillim. Top Festi e bëri aq të bukur, sa vitin tjetër kërkuan të gjithë të merrnin pjesë.
Kush i dëgjon i pari këngët e tua të reja?
Njerëzit e mi të afërt që rrinë pranë meje. Kam miq, shokë, shoqe, bashkëshortja ime. Asaj nuk ia tregoj të parës sepse ka sensin e kundërshtimit, ngaqë është dhe ajo muzikante.