Pas një sezoni intensiv dhe shumë të komentuar të “Big Brother VIP Albania 5”, Stine dhe Stenaldo Mëhilli, kanë vendosur të sjellin një projekt të përbashkët muzikor me titullin “Koha nuk fal”. Ky bashkëpunim vjen si një vazhdimësi natyrale e lidhjes së krijuar brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri dhe si një hap i ri në rrugëtimin e tyre artistik.
Projekti “Koha nuk fal” shënon debutimin muzikor të Stenaldos pas daljes nga spektakli dhe njëkohësisht një rikthim ndryshe për Stinen, i cili këtë herë vendos të ndajë skenën me një bashkëpunëtor të ri. Kënga vjen si një ndërthurje natyrale e stileve të ndryshme të dy artistëve, por dhe një miksim mjaft interesant mes melankolisë dhe ritmit.
Ky bashkëpunim nuk është thjesht një projekt muzikor, por edhe një reflektim i eksperiencës së tyre në BBVA. Të dy artistët kanë ndarë momente të forta brenda shtëpisë, ku janë parë duke mbështetur njëri-tjetrin në situata emocionale.
Kënga u prezantua për herë të parë gjatë finales së madhe të spektaklit, duke marrë menjëherë reagime pozitive nga publiku. “Koha nuk fal” është një projekt që do të na shoqërojë për një kohë të gjatë.