Duket se trendi i rikthimit të këngëve të vjetra shqiptare në ripunime të reja, po vazhdon ende. Këtë e kemi parë dhe më herët këto vitet e fundit, e mesa duket do vazhdojmë ta shohim edhe për ca kohë.
Disa nga këngët e reja që janë publikuar këtë javë kanë kryesisht një pjesë të shkëputur nga këngë të vjetra shqiptare nga të cilat kanë marrë referenca për tekstin e melodinë. Këtu përmendim Skerdi Ago dhe Irkenc Hyka.
Projektet e tyre të reja “Xinxerfille” dhe “Male” i janë bashkuar këtë javë klasifikimit të “The Top List”. Të dyja këto këngë të vjetra popullore nga ku janë bazuar projektet e reja të dyshes, janë ndër më të njohurat në publik.
Fansat i kanë preferuar shumë këto krijime të ripunuara sa i kanë votuar menjëherë për të qenë në listën e 100 këngëve më të mira shqiptare. E bukura e tyre qëndron në faktin se plotësojnë njëra-tjetrën, kënga e Skerdit është mjaft ritmike, ndërsa ajo e Irkencit vjen me nota të buta dhe më melankolike.
“Xinxerfille” ka një klip shumë veror, të nxehtë… Ndërsa “Male” duhet thënë se është shumë i mirëmenduar, i veçantë dhe i arrirë. Sa të njëjta, po aq edhe të ndryshme, këto ripunime do t’ju mbeten gjatë në mendje.