Pas një qetësie që kishte pushtuar tregun muzikor shqiptar, artistët i janë rikthyer fuqishëm projekteve të radhës. Edhe pse është i shkurtër, ky muaj numëron plot 22 hyrje të reja në klasifikimin zyrtar të “Top Awards”.
I njohur ndryshe si muaji i të dashuruarve, projektet e publikuara së fundmi më shumë janë këngë dhe balada dedikuar dashurisë por ka patur edhe nga ato këngë që i janë dedikuar gënjeshtarëve apo ndarjeve.
Vetëm këtë javë numërohen 7 hyrje të reja në “The Top List”, të cilat janë renditur mjaft mirë në klasifikim.
Alban Skënderaj – Çdo ditë një Shën Valentin, Capital T – Je T’aime, KleoNiki ft. Alban Ramosaj – Unity, Klea Kasemi – Vallzim Lamtumire, Butrint Imeri x Ermal Fejzullahu – Për një Dashuri, Samanta – Pse, Ronela Hajati – Genjeshtar je x Pare janë këngët që i janë shtuar listës së 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
Vendi i parë, sikurse edhe javën e kaluar nuk ka ndryshuar, ai i përket “Stay with me Tonight” e Eugent Bushpepës, e cila i dedikohet ndjenjës më të bukur, asaj të dashurisë.
Sa i përket vendit të dytë, është Butrint Imeri, fansat e të cilit kanë bërë të pamundurën që “M’ke rrejt” të futet në zonën e nxehtë të klasifikimit.
Në vendin e tretë është pikërisht këngë më e përshtatshme e këtij muaji të dashurisë, një këngë e sjellë nga zëri i bukur i Alban Skënderaj, e titulluar “Çdo ditë një Shën Valentin”.