Elhaida Dani vjen me një projekt të ri muzikor që shkon përtej melodisë dhe vokalit të saj të fuqishëm. Kënga e saj e re mban titullin “Pasqyra e Mbretëreshës” dhe është pjesë e albumit me të njëjtin titull.
“Pasqyra e Mbretëreshës” nuk është thjesht një këngë, ajo është një tregim i ndjerë personal i vetë Elhaida Danit. Ky projekt muzikor është frymëzuar dhe shkruar mjeshtërisht nga Aida Baraku dhe Armend Rexhepagiqi bazuar në fletët e ditarit të saj personal, një detaj që i jep tekstit një peshë shumë intime dhe autentike.
Kënga rrëfen historinë e dashurisë së saj me balerinin Ledian Agalliaj, i cili ka realizuar edhe koreografinë e videoklipit. Kjo gjë e bën këngën më shumë se një kompozim muzikor, ajo është një reflektim i një historie reale dashurie dhe ndjesish që artistja i ka përjetuar vetë.
“Pasqyra e Mbretëreshës” është një baladë e fuqishme në të cilën videoja e vendos Elhaidën ballë për ballë me veten, duke u angazhuar në një bisedë sy më sy dhe një ndjekje simbolike ku çdo lëvizje përfaqëson një vendim. Kjo këngë është një kapitull thellësisht personal që Elhaida e mbajti për vete për një kohë të gjatë dhe tani është më në fund gati ta ndajë atë me të gjithë.