Në fillim të kësaj vere, Semi Jaupaj erdhi me këngën e saj më të re që premtoi shumë. “Autostradë” mban titullin projekti i saj i cili ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.

Kjo këngë arriti që të bëhej virale ende pa u publikuar, me fansat e saj që dëgjonin pjesë të shkurtra të postuara nga Semi në rrjete sociale. E ashtu siç dhe pritej, “Autostradë” arriti që shumë shpejt të rrëmbente zemrat e publikut dhe të kthehej ndër këngët më të preferuara momentalisht.

Në fakt kjo këngë është krijuar nga Yll Limani për ta kënduar vetë ai, por për Semin ishte një dashuri me dëgjim të parë dhe nuk mund ta linte pa e bërë të sajën. E tani që po e mendojmë, do të kishte qenë mjaft interesante nëse dyshja do ta kishin sjellë në bashkëpunim.

Projekti i fundit i Semit ka arritur një pozicionim mjaft të mirë në listë që në javën e parë të publikimit. “Autostradë” renditet në vend të tetë, por me gjasa do të vazhdojë ngritjen në javët në vazhdim.