Reperi i njohur shqiptar, Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero, ka bërë një thirrje publike për ndihmë, duke zbuluar se është duke kaluar një periudhë të vështirë emocionale dhe është në depresion të rëndë. Përmes një shkrimi të publikuar në InstaStory, Fero ka kërkuar ndihmën e mediave për ta mbështetur në një çështje të rëndësishme, që dëshiron ta bëjë publike.
Ai thekson se po përballet me një padrejtësi që, sipas tij, po i bëhet nga organet e drejtësisë. “I bëj thirrje të gjitha mediave sepse jam në shqetësim të madh, është duke m’u bërë një padrejtësi shumë e madhe prej organeve të ligjit zbatues më saktësisht Gjykatës së Gjilanit. Jam i thyer emocionalisht sdhe jam në depresion të rëndë”-ka shkruar reperi nga Gjilani në postimin e tij. Ky njoftim ka ngjallur shqetësim te fansat dhe ndjekësit e tij, duke shprehur solidaritet dhe mbështetje për artistin në këtë periudhë të vështirë. Situata mbetet e paqartë për momentin, ndërsa pritet që mediat të ndërhyjnë për të hedhur dritë mbi rrethanat e plota të çështjes.
Më pas, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “COMPAS” Fero ka deklaruar se vajza e tij është rrëmbyer për shkak se siç ai thotë, enti social pa i dhënë asnjë detaj, i ka thënë se vajza e tij ka ikur.
“Unë si prind i vajzës time ka kohë që më bëhet padrejtësi si në aspektin e vendimeve, po ashtu edhe në aspektin e mospërfilljes dhe të asaj që vet Gjykata ka marrë vendim dhe ka kohë që pres unë ta shoh vajzën time. Befasohna se vajza e ime udhëton nëpër shtete të ndryshme pa lejen time dhe pa u njoftuar se në cilin vend ajo gjindet. Dhe, më tragjike ka qenë ndodhia e sotit ku unë e konsideroj se vajza më është kidnapuar me një lloj mënyrë, për shkak se enti social më ka njoftuar se në ora katër me ardhë me e marrë vajzën, e në moment që unë shkoj me e marrë vajzën në kohën e caktuar që ata ma kanë caktuar, nuk më japin asnjë detaj se në çfarë drejtimi më është marrë vajza, vetëm se më thonë se vajza ka ikur.”