I ftuar në “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë artisti Ergys Shahu, i cili ka folur më shumë për karrierën e tij në muzikë, projektet, si dhe hapat e ardhshëm…

Në fillimet e tua ke publikuar këngë si “Kam mall për ty”, “Nga e para t’ia nisim”, “Të kam në mendje”. Kur i dëgjon sot i sheh si nostalgji apo si një version të vetes që ke superuar?

Kur futem dëgjoj këto këngë, bëhem shumë nostalgjik. Ka qenë një kohë shumë ndryshe dhe vërtet që kam nostalgji për atë. Ai pasioni që ka qenë disi shumë më i fortë se tanj. Ne kemi sakrifikuar shumë, kur shoh brezin e ri dhe mendoj veten, ne kemi bërë sakrifica shumë të mëdha për muzikën. Tani po prodhohet shumë muzikë. Nëse do flasim për atë kohë, ti mund të bëje një këngë dhe i rezistonte kohës. Tani kemi shumë prurje muzikore dhe shumë pak ecin. Tani janë dhe rrjetet sociale që kanë bërë diferencën. Sot ti mund të bësh një këngë që nuk ka lidhje dhe është ai 3-sekondëshi që bëhet viral dhe merr një shikueshmëri të madhe. Këtu lind ai debati, a është apo jo këngë e bukur, çfarë duan njerëzit dhe ne bëhemi skeptikë.

A ka më shumë këngë të bukura apo kalimtare?

Ka këngë shumë të bukura, por TikTok mendoj se ka prishur shumë punë. Ka disa këngë që lënë për të dëshiruar.

Çfarë do të doje të ndryshonte publiku shqiptar në mënyrën se si e konsumon muzikën?

Mendoj që prioritet të kishin këngën që kanë një mesazh të fortë dhe që i duhen rinisë, mund t’i dëgjojmë pa siklet me familjen tonë, me njerëzit tonë të dashur. Ato këngë që kanë një tekst që i dëgjojmë ne siklet, nuk duhet t’i japim aq shumë prioritet.

Gjatë intervistës, Ergysi ka zbuluar ekskluzivisht dhe një demo nga bashkëpunimi i tij i radhës me Orgito Dapën. Dëgjoni videon më poshtë.