Gjatë javës së kaluar, mediat rozë u pushtuan me lajmin e shkëputjes së dy reperave të njohur, Mozzik dhe Getinjo, nga shtëpia diskografike “On Records”, me të cilën bashkëpunonin prej vitesh.
Ndërkohë që ende nuk është zbuluar arsyeja e vërtetë e prishjes së kësaj marrëdhënie, duket se Mozzik dhe Getinjo nuk janë ndalur, por kanë vijuar të merren me muzikë.
Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, ish-menaxheri i dyshes së famshme ka treguar se prishja e kontratës ishte e njëanshme dhe “On Records” ka përgatitur çështjen për t’i hedhur në gjyq.
Pavarësisht se u krijua një zhurmë e madhe, pati dhe nga ato media që aluduan se prishja e marrëdhënies së Mozzik dhe Getinjo me ish-menaxherin e tyre nuk ishte e vërtetë por e bërë thjesht për “show”.
I gjendur mes këtyre problemeve, Mozzik ka paralajmëruar publikimin e projektin e tij të ri muzikor në bashkëpunim me reperin turk, Veysel, të titulluar “Te Amo”. Momentalisht kjo këngë është publikuar vetëm në platformat dixhitale, “Spotify”, “iTunes” dhe “Deezer”.
Nga ana tjetër, Getinjo dhe Mozzik, vazhdojnë të jenë të pranishëm nëpër koncerte të ndryshme, si brenda dhe jashtë Shqipërisë.