Një nga bashkëpunimet e kësaj jave që i është bashkuar klasifikimit të “The Top List” është “Mos u dorzo 2” nga Stresi dhe One T. Edhe pse kjo nuk është hera e parë që dyshja sjellin një projekt së bashku, “Mos u dorzo 2” e sjell këtë të fundit për herë të parë në listë.

One T është artist i njohur i rrymës Hip Hop/Rap. One T, emri i vërtetë i të cilit është Arianit Bekteshi, lindi më 16 korrik 1991 në qytetin e Prizrenit. Muzikën e filloi që në moshë të re, gjatë vitit 2007, ku gjatë kësaj kohe ai solli këngë e bashkëpunime të ndryshme, shumë prej të cilave patën suksese të mëdha si projekti “Shokun Se Lo” (feat Stresi), “Thirrni Eulexin” (feat Stresi & Anestezion) dhe “Win Win” (feat Stresi).

One T është edhe anëtar i labelit “BadBoys4Life”. Në vitet 2007 deri 2012 One T njihej si “1tt’z” por në vitin 2013 ai e ndryshoi emrin e tij dhe e bëri “One T” dhe sot e mban akoma këtë emër. Ndër projektet e tij më të njohura përmendim “Thirrni Eulexin”, “Shokun Se Lo”, “Malli”, “Pa Ty”, “Pa Inat”, “T’zeza”, “Trëndafil”, “Shokun Se Lo II”, “Faje”, “Shokun Se Lo 3”, “Morea”, “Gang Shit”, “Madrina”, “Gitana”, “Win Win”, “Nobody”, “Gina Montana”, “Gjiro”, “Mos U Dorzo 2”.