Olimpia Smajlaj ka sjellë së fundmi projektin e saj më të ri që mban titullin “Dy buzë”. Kjo këngë vjen në një stil pak më ndryshe nga sa e kemi parë zakonisht. Për më shumë na flet vetë Olimpia e ftuar ditën e sotme në “Live From Tirana”…

Sa kohë të ka marrë projekti “Dy buzë”?

Është pak komerciale si këngë dhe në fillim doja ta hidhja në plehra. Më ka marrë 2 vite kohë. Jam menduar 1 milion herë para se ta nxjerr, sepse nuk ishte stili im dhe ishte goxha eksperiment i fortë për mua si rockere. Për mua ishte pak e guximshme të merrja përsipër një këngë të tillë që është drill.

Titulli është mjaft interesant, kujt i erdhi kjo ide?

Më ka ardhur mua dhe e kam inspirimin nga Migjeni, sepse ka një poezi shumë të bukur “Dy buzë”. Dy rreshta që përdor un në këngë madje janë nga poezia e Migjenit. ‘Dy dëshira të flakta dhe dy buzë si të përgjakura’, janë të tijat.

Rryma drill nuk është sjellë shumë nga vajzat, si e ndjeve ti veten në të?

Kjo ishte iniciativa, sepse në fakt kjo këngë është bërë në periudhën kur shpërtheu drilli, kurse unë e kam nxjerrë tani. Është nga ato rrymë që mund të jetë pak kalimtare. Hip-hop është një rrymë që mund të zgjasë përgjithmonë. Nën-rrymat e tij kapin një trend që mund të zgjasë 1-2 vite dhe pastaj mund të bien pak. Por drill është akoma i fortë. Nuk është se e gjej veten 100% sepse nuk e kam eksploruar më përpara, por mënyra se si unë këndoj aty është 100% Olimpia.

Çfarë mund të na thuash për klipin?

Klipi të merr shunë kohë por doli një projekt i mirë, që më pëlqeu shumë. I bëra dhe promovim shumë të bukur Tiranës. Nuk besoj se e ka bërë njeri që të shkojë në pika të caktuara ku ndodhen dhe murale të ndryshme në Tiranë dhe të xhirosh aty. Ka kushtuar deri diku, por nuk është nga ato klipet e shtrenjta shumë.