Me pak “Alkool”, Yll Limani dhe Noizy ia kanë dalë që të rrëmbejnë fronin e kësaj jave të “The Top List”. Bashkëpunimi i tyre ka rezultuar si më i votuari i publikut për të qenë në krye të 100 këngëve më të mira shqiptare të javës.

Ashtu siç kishim parashikuar dhe javën që lamë pas, “Alkool” mund të rrezikonte të rrëzonte “365” nga Fifi dhe Gjiko. Dhe vërtet ashtu ndodhi.

Ky projekt ishte padyshim një prej bashkëpunimeve më të suksesshme këtë verë. Ritmi dhe teksti i këngës të dërgon buzë detit dhe te kënaqësitë e plazhit dhe përshtatet kaq mirë me sezonin në të cilin jemi.

Noizy dhe Yll Limani janë kombinuar në mënyrë perfekte në këtë projekt, edhe pse të dy ata i përkasin stileve të ndryshme. Megjithatë, suksesi ishte i garantuar dhe tani ka mbetur vetëm të gëzojnë frytet e punës së tyre…