Kjo javë sjell me vete disa artistë të rinj në Top Awards. Me projektet e tyre bëhen për herë të parë pjesë e “The Top List”. Ja kush janë ata…
E lindur në Laç dhe e rritur jashtë Shqipërisë, në Milano, Juela vjen nga një familje shqiptare shumë e lidhur, ku identiteti nuk është lënë kurrë të zbehet. Prindërit e saj, siç tregon ajo, kanë qenë të kujdesshëm që në shtëpi të ruheshin rrënjët, kultura dhe vlerat me të cilat janë rritur vetë. Fëmijëria e Juelës ka qenë e mbushur me dashuri, sidomos pranë tre motrave, por edhe me disiplinë. Ajo përshkruhet si një vajzë e qetë, kureshtare, shumë aktive dhe me ëndrra të mëdha, një kombinim që duket se e ka shoqëruar edhe në zgjedhjet e saj të mëvonshme. Pas studimeve të larta për Ekonomi Europiane, Juela vendosi t’i japë hapësirë një pasioni që, sipas saj, e kishte gjithmonë brenda: muzikës. Fillimisht e rritur me rrymën pop, me kalimin e kohës nisi të kërkonte një tingull më të afërt me botën e saj, më “të përzier”: elementë ballkanikë, pak orientalë, dark pop dhe ballads, një identitet muzikor që thotë se e përfaqëson më shumë. Edhe mësimet e pianos e kanë ndihmuar të lidhet me muzikën në një mënyrë më profesionale, edhe pse e quan veten ende në fillimet e saj.
Dujanen është një artist shqiptar i muzikës R&B, i lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë/Kosovës. Ai ka zgjedhur të zhvillojë muzikën e tij në mënyrë të pavarur, duke u fokusuar tek krijimi dhe publikimi i projekteve muzikore. Debutimi i tij erdhi me albumin “Love Hurts”, ndërsa muzika e tij përfshin këngë në shqip dhe anglisht, me një qasje bashkëkohore ndaj zhanrit R&B.
Bleart Muçollari, apo siç njihet me emrin e tij të artit si Young, rrugëtimin drejt muzikës e ka nisur shumë herët, që në fëmijëri. Ka studiuar në shkollën e muzikës, fillimisht rreth për violinë, më pas që në moshën 15-vjeçare deri në fund të studimeve akademike në fakultet për kontrabas. Gjatë kësaj kohe, pasioni për këndim ka qenë gjithmonë pjesë e tij, ku është integruar në festivale, konkurse, koncerte. Më pas zhvilloi aftësinë për të shkruar tekste të tij, ku mund të numërohen mbi 150 tekste të pa publikuara për publikun. Young është angazhuar duke kënduar e duke pasuruar repertorin e tij me pjesë të ndryshme, ku më i fundit ka qenë bashkëpunimi i tij i parë për publikun, me Stine, të titulluar “Pinocchio”, me të cilin debuton në “The Top List”.