Besa Kokëdhima ka qenë mëngjesin e sotëm e ftuar nëpërmjet një lidhje me ‘Skype’ për “Wake Up”. Mbrëmjen e nesërme, skena e “Malmo Arena” në Suedi do të përqafojë ngjyrat kuqezi, me zërin e Besës që me siguri do të të na falë një përfaqësim dinjitoz në Eurovision 2024. Mëngjesin e sotëm artistja na zbuloi emocionet e saj, por dhe disa detaje të tjera që priten nga nata e dytë kur konkurron ajo me këngën “Titan”:

Jam super gati, plot emocione, shumë angazhime, koncerte. Kemi shumë punë. Mendoj se jemi gati dhe shpresojmë të bëjmë një performancë shumë dinjitoze. Sot kemi provën e veshjes, janë dy provat e fundit që konsiderohen provat gjenerale. Janë të fundit para performancës së nesërme. Atmosfera mes artistëve dhe delegacioneve sivjet duket shumë e bukur. Është një garë shumë e fortë sivjet. Kemi një grup Whatsapp-i që shkruajmë vazhdimisht.

Si janë pritshmëritë për natën e dytë?

Pjesa më e madhe e këngëve më të forta janë mbrëmjen që jam unë. Ka një konkurrent më shumë këtë natë, që vështirësohet rruga. Janë 16 konkurrentë dhe pjesa më e madhe janë në gjysmëfinalen e dytë. Gara është më e egër, kanë këngë të mira, janë shtete të forta. Unë këndoj e dyta, në fillim të mbrëmjes. Zakonisht këto fillimet e mbrëmjes, statistikisht janë konsideruar hapësira jo shumë të mira për probabilitetin e kualifikimit. Por nuk e marr këtë gjë në konsideratë në këtë aspekt.

Por si do të jetë veshja?

Askush nuk i ka parë ende veshjet. Kemi pasur dëshirë që t’i keqdrejtojmë fansat. Është komplet tjetër veshje. Më në fund fansat do të kenë mundësi ta shohin.

Ke ndonjë familjar që po të mbështet aty?

Kam dy njerëz të afërt që më mbështesin dhe prindërit do të vijnë nesër. Nuk e di nëse do mundem t’i takoj deri pasi të mbarojë mbrëmja. Këto muaj mund t’i kem parë 2 herë. Këto kohë ku kemi fjetur, nuk jemi zgjuar (qesh).