Dardan Ballazhi apo siç njihet me emrin artistik Dj Tr3ndy, së fundmi ka publikuar projektin e tij në bashkëpunim me Faton Qerimin të titulluar “U kry”. I ftuar në studion e “Lancio” në Top Albania Radio, Tr3ndy ka folur për këtë projekt, por jo vetëm…

Ku e ka nisur karrierën Tr3ndy dhe cilat ishin vendet ku e shfaqte talentin e tij?

Me muzikë jam marrë që prej 10 vitesh, në një moshë shumë të re diku 16-17 vjeçare. Në fillim luaja në pub-e të vogla. Hap pas hapi nisa të merrem me kompozim, kam kompozuar dhe hite, si ‘Welcome to Prishtina’, unë bashkë me Adrian Gaxhën. Ka qenë hit. Kam nisur pastaj me evente nëpër Zvicër, Gjermani, Kosovë. Kam qenë në turne me Ardian Bujupin. Muzika më ka ecur shumë mirë.

Projekti ‘U kry’ në bashkëpunim me Faton Qerimin pati mjaft sukses. Si lindi ky projekt?

Në momentin që e kam krijuar beat-in e dija që duhet ta këndonte Fatoni. Ai pas tre-katër orësh ma ka dërguar me vijë melodike dhe i thashë kjo ka për të qenë hit.

Cilat kanë qenë bashkëpunimet e preferuara dhe a do të ketë surpriza të tjera në të ardhmen?

Nuk kam punuar me artistë shqiptarë të Shqipërisë, kam punuar në Kosovë. Bashkëpunimi i preferuar, nëqoftëse bëhet fjalë për muzikë elektronike, do kisha zgjedhur Fatonin, është stil shumë i veçantë i zhanrit muzikor. Këtu te ne nuk prodhohen shumë. Kam gati 20 projekte të palançuara. Disa i kam me Florianin. Nëqoftëse bëhet fjalë për një bashkëpunim që do kisha dëshirë për artistë nga Shqipëria ose Kosova do të kisha zgjedhur Dafina Zeqirin se i përshtatet çdo lloj rryme dhe Yll Limanin.