Treshja e “mendjemedhenjve” më në fund ka lëshuar kreun e klasifikimit të “Top Awards”. Pas 5 javësh në vendin e parë, kjo javë ka rezultuar jo aq e suksesshme për Lyrical Son, Ledri Vulën dhe Mc Kresha pasi bashkëpunimi i tyre “Menemadhe” ka humbur dy pozicione nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e tretë.
Vendi i parë i përket dyshes së njohur, Majk dhe Butrint Imerit, me këngën e tyre “Sa gjynah”, e cila është ngjitur me një pozicion, duke u shpallur kënga më e votuar dhe e dëgjuar për këtë javë.
Në vendin e dytë të “The Top List” është renditur një ngjitje marramendese. Edhe pse është publikuar javën e kaluar, bashkëpunimi i Dhurata Dorës dhe Soolking, “Zemer” ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm këtë javë, duke u ngjitur me 40 pozicione. Ky bashkëpunim është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar, i cili menjëherë e ka shndërruar këtë këngë në një hit muzikor, volumi i lartë i së cilës të shoqëron kudo.
Zonës së nxehtë të klasifikimit, këtë javë i është shtuar “Plage ne gjysmeshpirt” e Alban Skënderaj, e cila për këtë javë pozicionohet në vendin e 5-të, duke u ngjitur me 4 pozicione nga java e kaluar.
Sa i përket hyrjeve të reja, kjo javë ka rezultuar tepër e vakët pasi vetëm një këngë ka arritur të marrë sugjerimet e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e listës zyrtare të “Top Awards” dhe bëhet fjalë për këngën “Dhe nje nate” të Ilger.