Majk ka shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e tij muzikore me publikimin e albumit të tij të parë solo. I titulluar “Qielli o kufi”, projekti i ri mori menjëherë vëmendjen e fansave të artistit.

Albumi përmban gjithsej shtatë këngë dhe sjell një kombinim të stilit karakteristik të Majk me bashkëpunime të veçanta me emra të njohur të skenës muzikore shqiptare. Projekti hapet me këngën “Qielli o kufi”, e cila mban të njëjtin titull si albumi, për të vazhduar me “Te Quiero” në bashkëpunim me Lyrical Son, DJ PM dhe Dagz.

Në listën e këngëve përfshihen gjithashtu “Azul & Don Julio”, “Jolie”, “Lakmove” në bashkëpunim me Nasty D, “Superman” dhe kënga përmbyllëse “Dashni 2”, e realizuar së bashku me Lore. 

Titulli “Qielli o kufi” përcjell mesazhin se me punë, përkushtim dhe besim në ëndrra, nuk ka kufij për atë që mund të arrijmë. Ky album është rezultat i eksperiencës, sfidave dhe sukseseve të grumbulluara gjatë viteve.

Albumi është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përmban 7 kënge, ndërsa pjesa e dytë do të sjellë edhe 8 këngë të tjera, duke kompletuar një projekt me gjithsej 15 këngë. Çdo këngë sjell një energji dhe histori të veçantë, duke reflektuar anë të ndryshme të rrugëtimit të tij artistik.

Katër këngë i bashkohen klasifikimit të kësaj jave të “The Top List”. Bëhet fjalë për “Dashni 2”, “Superman”, “Azul & Don Julio” dhe “Te quiero”.

I njohur si një nga reperët më të suksesshëm dhe më të dashur të skenës hip-hop, Majk ka ndërtuar ndër vite një karrierë të pasur me hite dhe bashkëpunime të shumta që kanë dominuar tregun muzikor. Publikimi i “Qielli o kufi” konsiderohet një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e tij artistik, ndërsa pritshmëritë janë që albumi të shënojë sukses të madh dhe të mirëpritet nga publiku, ashtu si projektet e mëparshme të reperit.