Elhaida Dani mbetet një nga artistet më të talentuara dhe të dashura për publikun shqiptar dhe jo vetëm, që dita-ditës na bën edhe më shumë krenarë me arritjet e saj. Teksa, intervistat e saj janë shumë të rralla, përpos sukseseve të saj që të gjithë tanimë i dimë, ndjekësit nuk e njohin artisten pak më shumë. Kur ishte momenti që e kuptoi se do të bëhet këngëtare? Si ka qenë fëmijëria e saj, po marrëdhënia me familjarët?
Është e çuditshme sepse unë nuk e flisja hapur që doja të isha këngëtare. Nuk ia flisja as vetes time me zë të lartë. Brenda vetes e imagjinoja veten si një vajzë që udhëton, që është e lirë dhe që pasionin e saj e ka bërë punën e saj. Nuk kam pasur asnjëherë dyshim që kjo do ishte jeta ime. Të them të drejtën, deri sot jam munduar t’i mbush mendjen vetes që fëmijëria ime ka qenë mëse normale, por nuk ka qenë e tillë sepse jam rritur në një familje ndryshe për shkak të punës së babit që na duhej të lëviznim shumë. Kemi ndërruar nuk e di sa shtëpi në fëmijërinë time, sa qytete, Tiranë, Shkodër. Kjo gjë më ka ndihmuar pastaj në jetën time, sepse më ka bërë të përshtatem me ndryshimin shumë shpejt. Puna e babit ishte shumë e rëndësishme, kështu që ne i dedikonim gjithë energjitë tona. Ishte një familje patriarkale, jam rritur me dy vëllezër më të mëdhenj. Akoma sot e kam pak të vështirë të përshtatem, bota emancipohet por e kam të vështirë ta shikoj. Mami im kur ka qenë në moshë të re këndonte, poe babi nuk e lejoi dhe i ka ngelur peng saqë me dy djemtë tentoi të gjente ndonjë copëz talenti dhe nuk e gjeti dhe në momentin e parë që pa që unë kisha veshin e muzikës, i tha babit ‘dëgjo Elhaidën e kemi këngëtare do ta ndihmojmë’. Insistoi të nisja pianon. Dy vitet e para të shkollës së muzikës i bëra në Tiranë, pastaj në Shkodër ku vazhdova mësimet për muzikë. Kam qenë fëmijë shumë introvert, nëse e vuaja në fëmijëri, më vinte inat që nuk isha vajza që çdo njeri donte të luante me të. Sot e shoh si një pikë të fortë, nëse je introvert nuk është diçka e keqe, do të thotë që po bluan brenda vetes diçka të madhe dhe nëse ke një talent e shoh të jesh introvert si një diçka pozitive.
Elhaida na zbulon herën e parë kur është ngjitur në skenë profesionale dhe pagesën që ka marrë nga puna e saj e parë.
Jam rritur në teatrin ‘Migjeni’ të Shkodrës, por jo si këngëtare soliste pasi nuk e dinte asnjë që unë këndoja deri në adoleshencë. Isha pianiste shumë e mirë në shkollë, studioja shumë. E mbylla në vetvete talentin, vetëm familja ime e dinte. Shikoja këngëtarët shkodran që këndonin në skenë dhe ëndërroja të isha unë. Isha 14 vjeçe kur këndova për herë të parë, mbaj mend dhe rrogën, ishte 40 mijë lekë të vjetra. I çova në shtëpi direkt. Edhe ka qenë ai moment që unë isha në një skenë të mirëfilltë, akoma dhe sot e kujtoj.
Por, kur ka qenë momenti që artistja është refuzuar për herë të parë në audicione dhe e përjetoi shumë keq, por sërish kjo histori nuk e dorëzoi.
Në momentin që vendos të marr pjesë në audicionet e ‘Ethet e së premtes mbrëma’, e kaloj fazën e parë. Aty ndizet më në fund brenda meje zjarri. Familja fillon të më marrë seriozisht, qenka diçka e mirëfilltë, fillojnë ta pranojnë dhe të tjerët. Pastaj erdha në Tiranë për fazën e dytë të audicioneve dhe këndoj një këngë të Whitney Houston ‘I have nothing’. Nuk dija asgjë, gjithçka ishte emocionale, e pastudiuar. Mbaj mend që dridhesha në skenë. Nuk kalova dhe mbaj mend ishim në makinë me mamin dhe me babin kur e mora vesh dhe kam qarë nga Tirana deri në Shkodër. I thashë unë më kurrë nuk dal në skenë, më kurrë nuk do këndoj. E kisha ndarë mendjen që nuk do këndoja, por pas shumë pak ditesh ndodhi që në qytet, në Shkodër erdhi stafi i ‘Star Academy’. Ishte babi që insistoi dhe pjesa tjetër histori. Mora sigurinë që, okej mund të jem këngëtare sepse audicioni shkoi shumë mirë, i dyti akoma më mirë. Pashë veten në televizion javë pas jave, derisa u shpalla fituese.
E një ndër arritjet e saj më të mëdha ka qenë padyshim fitorja e Top Fest që ka ndodhur në një moshë të vogël për këngëtaren. Çfarë emocionesh përjetoi, na i zbulon vetë Elhaida.
Pas kësaj fitoreje më vjen kontrata me një ndër televizionet më prestigjoze në Shqipëri ku duhet të punoja si ‘back vokaliste’ dhe nga ky moment prapë vazhdojnë kërkesat për të marrë pjesë në festival jashtë Shqipërie dhe në eksperiencën e parë dola fituese në Mal të Zi. Pas kësaj eksperience kam shtuar kurrikulumin tim. Nuk e di sa çmime më janë shtuar nga periudha e ‘Star Academy’ deri te Top Fest. Merrja pjesë në një festival, fitoja dhe këtu fitova gjithë vetbesimin. Këtu fillova të ëndërroja, po sikur të prek një vend më të madh se Ballkani. Pas gjithë këtyre eksperiencave, kthehem në Shqipëri dhe ishte nata finale e Top Fest dhe nata finale ka qenë ajo që më ka sjellë me këmbë në tokë. S’më besohej. Isha 18 vjeçe, nuk e kisha idenë se çfarë ndodhte rreth meje, isha në shok total.
Elhaida Dani ka rrëfyer gjithashtu mbi eksperiencën në ‘The Voice of Italy’.
Nuk e di çfarë vlere kanë çmimet sepse sot i shikoj ato kupa dhe nuk më japin asgjë, janë thjesht diçka fizike. E vetmja gjë që më prek sot është kur takoj njerëz dhe vlerësojnë atë që jam. Mbaj mend veten time që shikoja kanalet italiane dhe kështu e mësova dhe italishten. Sapo u hapën vizat ika direkt për në ‘Amici’, çdo kursim i babait iku për biletat e avionit. Audicioni kishte qindra, qindra fëmijë të rinj që merrnin pjesë dhe unë isha fare pa vend aty. Ishte një audicion i tmerrshëm, na dhanë një listë me 10 këngë, nëse nuk njihje asnjë këngë duhet të ikje në shtëpi. Kur vjen radha ime unë filloj ndjek këngën, nuk këndova në rregull dhe nuk e mora audicionin. Kjo ishte eksperienca ime e parë në Itali. E kisha ndarë memendjen që do e provoja Italinë. Më thanë që do bëhet për herë të parë ‘The Voice’ në Itali, më thanë thjesht ‘eja dhe bëjmë audicionin e parë’. Isha shumë kofidente. Mora telefonatë pas disa ditësh, më thanë ‘je pjesë e ‘The Voice of Italy’. Pastaj transferohem në Milano disa muaj. Nuk flisja me asnjë njeri sepse kishte shikime të çuditshme kundrejt meje, por nuk e kisha aspak problem sepse qëllimi im ishte të këndoja. Kur isha në skenë kisha aq shumë emocione dhe kur dëgjoj katër herë që kthehen karriget, në ato momente u ula në gjunjë, mezi po kujtoja fjalët. Filluan lajkat e jurisë duke dashur të më merrnin në ekip. Në fund fare them do shkoj me Richardon dhe them që ka qenë zgjedhja më e mirë që kam bërë. Më është kthyer në tutorin tim akoma sot, ishte prezent para disa muajsh në Tiranë kur prezantova albumin tim. Një nga njohjet më të rëndësishme të jetës time. Gjatë periudhës së ‘Voice’, nuk më shkonte ndonjëherë në mendje që mund ta fitoja, por s’më shkonte në mendje dhe që mund të mos ta fitoja. Më merrte malli për familjen, për miqtë, ishte e vështirë, ama nuk mendoja se kishte diçka më të rëndësishme përveë kësaj gjëje. Ka pasur momente që e vuaja fakti që publiku italian nuk donte që të ishte një shqiptare apo një person i çfarëdolloj shteti që kalonte të gjitha fazat e këtij eventi italian, sepse në fund të fundit quhet ‘The Voice of Italy’. Hyja ‘online’ pas çdo episodi dhe shikoja komentet, aty shkoja gropë në moral. Kjo gjëja më bënte të thoja ndoshta nuk e meritoj të jem këtu.
Pas kaq shumë sukseseve, Elhaida na rrëfen momentin që vendosi ‘të zbulojë veten’ dhe ku gjithçka ndryshoi për të.
Në moshën 22 vjeçe pas fitores së ‘The Voice’, vendosa të rikthehem në atdhe dhe të bëj një gjë që kam pasur ëndërr gjithmonë, të marr pjesë në festivalin e RTSH-së. Dola fituese dhe në atë moment deri kur mbaron kjo eksperiencë, në ato pak muaj jeta ime ka ndryshuar totalisht, një përgjegjësi kaq të madhe mbi shpatulla nuk e kisha ndjerë ndonjëherë, sepse deri në ato momente përfaqësoja veten time në kompeticione dhe e gjeta veten duke përfaqësuar një shtet të tërë. Ishte e vështirë sepse nuk pati vetëm komente pozitive, pati dhe komente negative. Diçka ndryshoi te unë dhe ishte Eurovision-i që më bëri të thoja që mjaft duke konkurruar veten, duke provuar që ja vlen, thash mjaft, ja vlen, kujt do t’ja tregosh më që je e zonja? Aty vendosa të shkëputesha nga muzika moderne, mora një vit për veten time, një vit që më ndryshoi jetën dhe mora një drejtim tjetër në karrierë. Në këto momente më vjen telefonata nga Richardo, më propozoi të luaja rolin e Esmeraldës në veprën ‘Notre Dame de Paris’. Duhet të mësoja ‘Notre Dame’, të mësoja frengjisht. Ky ndryshim ishte ai që më duhej. Fillova punën, fillova palestrën deri atë ditë nuk kisha bërë një ditë stërvitje në jetën time. Fillova kurse baleti, isha një dramë e vërtetë. E mora shumë seriozisht ndryshimin e fizikut tim. Fillova të lexoja më shumë, të zbuloj veten time. Në momentin që muajt kaluan, erdhi momenti i audicionit, shkoj në Paris, Richardo nuk më njohu, nuk isha më Elhaida bullafiqe. Bëra audicionet dhe më lajmëruan që do filloja turneun pas disa javësh dhe u transferova në Paris.