Shpat Deda, artisti shumë i dashur për të gjithë publikun ka qenë mëngjesin e sotëm i ftuar në studion e “Wake Up” për të na dhënë disa detaje për koncertin e tij autorial, por jo vetëm. ‘Udhëtim në fjalë e tinguj‘ do të mbahet sot dhe nesër në Kishën Ortodokse në Tiranë dhe Shpati fton të gjithë fansat dhe dashamirësit e muzikës së mirë që të mos i humbasin këto dy net speciale. Koncerti i artistit do të vijë gjithashtu dhe në “A Live Night”, në Top Channel dhe Top Albania Radio.

Por si fillim ndalemi pak tek një prej klipeve të fundit, “T’huj”…

Është një prej klipeve që më pëlqen më shumë. Një vajzë e talentuar, Lorna Çekixhi,  më kontaktoi për të më shprehur dëshirën për të bërë një klip me ‘slow motion’. Është këngë pak më ‘underground’. Lorna e ka bërë dhe e kam bërë unë montazhin. Dhe ka dalë kjo video. Inspirimi për skenografinë e koncertit, është marrë pikërisht nga ky videoklip. Më pëlqeu aq shumë sa thashë ta bëjmë kështu edhe në skenë.

Ndërkohë karriera jote ka nisur herët në Top Channel…

Është një ëndërr shumë e bukur, një rrugëtim që vazhdon. Një rikthim shumë i rëndësishëm për mua në Top Channel. Atë kohë isha më i ri dhe nuk e dija mirë, por tani e di se çfarë po bëj dhe jam pak më ambicioz. Është një falenderim shumë i madh për Top Media dhe në veçanti për Ledion Liçon.

Çfarë mund të na thuash për koncertin e sotëm?

Jam në presionin dhe përgjegjësinë që të japim një natë të paharrueshme. Besoj se do t’ia arrijmë. Do të jetë një mbrëmje me surpriza dhe të ftuar. Skenografia është shumë e mirë dhe salla gjithashtu. Një formacion që nuk është luajtur në këtë mënyrë në Tiranë më herët. Nuk është rastësisht ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’, pasi është një udhëtim në këngët e mia, në tekstet e mia, një udhëtim që të bën të thellohesh. Energjinë time në muzikë jam duke e shtyrë në performancë live, siç është dhe ky koncert. Do të jem së bashku me Visar dhe Tomor Kuçin. Janë 7 instumente në skenë dhe jemi ne të tre. Koncerti është bazuar në këngët e mia, por interpretuar ndryshe në këtë formë në skenë. Prandaj është diçka kaq e veçantë.

Ke shprehur më parë se Tirana është një dashuri e madhe dhe e vjetër e jotja, pse?

Kam familjen në Tiranë, gjyshja ime nga ana e babait është tiranase. Ajo ka qenë prezencë shumë e rendësishme për mua. Ajo na ka mbjellë një dashuri të madhe. Por edhe zhvillimi im si artist ka lidhje të madhe me Tiranën.

Nga ana tjetër, ti ke bërë dhe disa pauza nga njëri album në tjetrin, pse kjo zgjedhje?

Muzikën e kam pasion, jo profesion. Me muzikën ushqej shpirtin dhe më jep momente shumë të veçanta. E ruaj me shumë kujdes dhe nuk dua të fus elemente që e ndotin. Dua muzikë që më pëlqen dhe që qëndron. Albumi duhet të jëtë një lloj ditari gjatë periudhës në të cilën është kompozuar. Albumet janë të ndryshme sepse unë kam qenë në periudha të ndryshme. Albumin e tretë nuk e kisha menduar se do e bëj. Mendova se dy janë mjaft. Por pastaj lindën këngë dhe u kthyen në një album.

Ke menduar ndonjëherë të bësh muzikë komerciale?

Nuk më ka shkuar mendja. Momenti im më i shtrenjtë është kur dal në skenë. Nëse është një këngë tjetër komerciale, nuk do e bëja. Ka pasur momente që e kam menduar, por më e fortë për mua ka qenë kjo tjetra. Nuk po them që nuk do bëj këngë që të jenë më afër me publikun në masë, por këngë me impuls komercial nuk do bëj kurrë.

Bli biletën tënde në www.vivere.al