Më datë 9 Nëntor u bë zyrtare lista e 20 pjesëmarrësve për edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizonin Shqiptar. Juria ka vendosur emrat e këngëtarëve të cilët do të garojnë në edicionin e këtij viti, por një artist në veçanti mungoi në këtë listë. Është fjala për Mentor Hazirin.

Këngëtari duket se është zhgënjyer nga lista e publikuar dhe nuk kanë munguar reagimet e tij ku akuzoi produksionin për korrupsion dhe mos-transparencë. Sipas tij nuk i është dhënë asnjë arsye se pse kënga e tij nuk është përzgjedhur për festivalin. Madje ai u shpreh se Festivali i Këngës nuk i do shqiptarët nga Kosova dhe ky është një turp.

Menjëherë pas kësaj, Mentori lajmëroi se kënga e tij do të publikohej së bashku me videoklipin, si një kundërpërgjigje ndaj atyre që e refuzuan. Dhe para pak ditësh ai publikoi projektin me të cilin u paraqit për të konkurruar në festival. Kënga e tij e re quhet “Qëndro” dhe është një projekt që të prek dhe të bën edhe më të ndjeshëm lidhur me situatën e pandemisë, të cilën ne ende po e përjetojmë.

Mentori vërtetë që nuk u pranua në festival me “Qëndro”, por kjo nuk e ka ndaluar atë që të mirëpritet menjëherë në klasifikimin e “The Top List”. Kënga e tij duket se është pritur mjaft mirë nga publiku, i cili e ka votuar atë dhe e ka pozicionuar në vend të 22-të të renditjes.