Lumi B dhe Vig Poppa fillimisht janë bërë të njohur për publikun shqiptar si grupi Kaos. Nëse do të kthehemi pas në kohë do të kujtojmë disa prej këngëve pjesëmarrëse në “Top Fest”, të cilat ishin hite muzikore në atë kohë.
Paraqitja e tyre e parë muzikore ka qënë në “Top Fest 2” me këngën “Se kur pi”, një këngë e cila kishte shumë ritëm dhe elektrizoi publikun në atë kohë. Vetëm një vit më vonë, Kaos u rikthye në skenën e “Top Fest 3” në një bashkëpunim me Dj Blunt dhe Bardool, me këngën e titulluar “Hey”, e cila arriti të kualifikohej në gjysmëfinale.
Kënga e fundit që dyshja e reperave kanë kënduar bashkë është “Sheqer” e publikuar rreth 4 vite më parë.
Pavarësisht se vazhdojnë ende të jenë një grup, Lumi B dhe Vig Poppa kanë punuar fort për karrierën e tyre personale, duke sjellë bashkëpunime me artistë të tjerë.
Kjo javë i ka sjellë të dy artistët në klasifikim edhe pse të ndarë. Lumi B gjendet në klasifikim me “Kiss Kiss” një bashkëpunim mes tij dhe Ledri Vulës, e cila për këtë javë ka rrëmbyer vendin e parë në listën zyrtare të “Top Awards”.
Nga ana tjetër, Vig Poppa ka dy javë që i është bashkuar klasifikmit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare me projektin e tij muzikor “Haram”, një bashkëpunim me Don Phenom, i cili për këtë javë mban vendin e 56-të.
Nëse Kaos do të rikthehet këtë verë me ndonjë projekt muzikor, kjo mbetet për t’u parë në javët në vazhdim.