Nuk ka asnjë dyshim që Luiz Ejlli është personazhi më i komentuar momentalisht në Shqipëri. Fama e tij ka arritur tashmë rekorde të padiskutueshme dhe emri i tij është ndoshta më i lakuari në media dhe në showbiz.
Që kur ishte pjesë e “Big Brother VIP” ai arriti që të fitonte shumë fansa që e përkrahën në rrugëtimin e tij. Por jo vetëm kaq, një jehonë e madhe iu bë edhe këngëve të tij të dikurshme dhe publiku filloi të kërkonte sa më shumë projekte të reja prej tij.
E kështu ndodhi. Teksa ishte ende brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ai krijoi “Me ty”, një dedikim romantik për partneren e tij Kiara Tito për ditën e Shën Valentinit. Dhe ashtu siç kishte premtuar, me të dalë jashtë pas fitores së tij të padiskutueshme në “Big Brother VIP”, Luizi u angazhua më shumë se kurrë me projekte muzikore duke iu rikthyer fuqishëm skenës.
Së fundmi ai ka publikuar dhe projektin e tij të fundit, “Përjetësisht”, që në çastet e para të publikimit arriti të thyente rekorde. Përmes vokalit të tij të jashtëzakonshëm dhe interpretimit të ndjeshëm, Luiz Ejlli ka arritur të transmetojë ndjenjat dhe emocionet e këngës në mënyrë të mahnitshme. E këtu mund të themi pa frikë se momentalisht ai është personi më influent në Shqipëri.