Sonia Vokopola është një ndër artistet më të reja të tregut muzikor shqiptar. Ajo ka publikuar së fundmi projektin e saj të parë muzikor, “Ti je”, që e ka bërë atë për herë të parë pjesë të “The Top List”.

Sonia Vokopola ka lindur më 7 Korrik 1997, në Milano, Itali. Ajo është rritur gjithë jetën e saj në prezencën dhe në shoqërinë e tingujve dhe gjithmonë i kanë vënë në lëvizje telat e zemrës. Edhe pse ka studiuar për Graphic Design, pasioni i saj më i madh dhe ëndrra që arriti ta nxjerrë nga sirtari është muzika.

Duke ushqyer dhe zhvilluar artin brenda saj, ka mundur të kompozojë, të shkruajë tekste që e kanë kthyer emocionin në diçka të prekshme. Dhe pse në fillimet e saj, Sonia është e lumtur të ndajë me publikun një pjesë të zemrës së saj. Për të do të jetë gjithmonë i rëndësishëm mesazhi që zgjedh të perçojë nëpërmjet këngës.

Sonia është e lumtur që ka eksploruar pjesën e saj kreative dhe të shprehë botën e saj të brendshme. Siç dhe ajo thotë, ndihet e privilegjuar dhe me fat që e ka nisur rrugëtimin e saj me dikë që ndan të njëjtat vlera dhe pasion për muzikën. Kënga e saj e parë “Ti je”, erdhi si bashkëpunim me kompozitorin e njohur Kledi Bahiti. Arti i muzikës për të ka qenë një rrugë zbulimi i vetvetes.