Kjo javë sjell me vete disa artistë të rinj në Top Awards. Me projektet e tyre bëhen për herë të parë pjesë e “The Top List”. Ja kush janë ata…

Elena Fezga ka lindur dhe është rritur në Verona. Ajo ka nisur të studiojë muzikë që në moshën 6-vjeçare, rastësisht, duke u bashkuar me korin e zërave të bardhë. Që në fëmijëri ka marrë pjesë në sesionet lirike në Arenën e Veronës. Në moshën 11-vjeçare nis studimet në këndimin solistik, duke eksploruar zhanre të ndryshme muzikore: ka studiuar këngë lirike për teknikën vokale, por ka eksperimentuar gjithashtu me muzikën moderne, pop, blues, soul, rock dhe jazz. Zhanret që ajo preferon janë soul dhe blues, por të gjitha përvojat muzikore kanë qenë thelbësore në formimin e saj artistik. Gjatë viteve të studimit në Akademinë Lirike të Veronës (2007–2025), ka studiuar edhe aktrim për disa vite dhe ka performuar në mjedise dhe situata të ndryshme artistike, si në Itali ashtu edhe jashtë vendit. Singëlli i saj i parë u publikua më 1 dhjetor 2025 dhe është kompozuar dhe prodhuar nga mjeshtri Fio Zanotti, i njohur pë bashkëpunimet me artistë si Celentano, Gianluca Grigniani, Pooh, Vasco Rossi, Loredana Berte dhe sigurisht si arranxhuesi i këngës “Senza Pietà” nga Ana Oxa, me të cilën ka fituar edhe Sanremon në vitin 1999. Kori i këngës “Shine Star” është i famshëm prej bashkëpunimeve me këngëtaren Anastacia. Videoklipi i këngës “Shine Star” u publikua më datë 8 janar në platformën YouTube. Ai është prodhuar nga “Rude Creative”, me regji të Romina Ruda. Fabula e klipit është frymëzuar nga filma musical si “Burlesque” dhe “La la Land”.

Grupi Lynx është një grup rock i formuar më 22 dhjetor 2007, nga Aureli, kitaristi i grupit. Gjatë viteve ka pësuar disa ndryshime. Grupi përbëhet nga Mario Mancelli (vokal), Aurel Gjini (kitare), Aleksandros Braho (bass) dhe Eno Gjoni (bateri). Grupi ka publikuar albumin “Sa pak mjafton”, i shoqëruar nga singlet “Sot”, “Nëse ke besim”, “Vonë”, “Gjithmonë”, “S’dua të mbarojë”, “S’dua të mbarojë 2”, “Dëshmitar” dhe “Nuk kthehem pas”. Muzika e Lynx karakterizohet nga energji rock, riffe të fuqishme dhe tekste me mesazhe të drejtpërdrejta. Tekstet më së shumti bazohen në ngjarje aktuale dhe përjetime personale.

Kristi Lamaj është djali nga Vlora që këndon këngën labe në mënyrë të përkryer. Ai është rritur me muzikë, mirëpo studimet e larta vendosi t’i vazhdonte për drejtësi. Një jurist që ka pasion muzikën, pasion që ka nisur që që në moshë të vogël. Hapat e tij të para në këtë rrugë kanë nisur nga qyteti i Vlorës, ku edhe është diplomuar në degën e kantos në shkollën Naim Frashëri. Mamaja ka qenë ajo që i ka dhënë mbështetjen kryesore ndërsa e ka nxitur edhe të konkurrojë në Kënga Magjike. Ai bëhet për herë të parë pjesë e “The Top List” me “Migjen”, këngë e publikuar gjatë kohës së qëndrimit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 5”.