Projektet e saj krijojnë gjithmonë “zhurmë” dhe kjo “zhurmë” ka pushtuar klasifikimin e “Top Awards”. Sikurse edhe me albumin e saj të parë “3”, Elvana Gjata vijon të pëlqehet pafund nga publiku me albumin “Çelu”.

“Çelu”, një tjetër surprizë e artises për ditën e saj të lindjes, përmban në total 7 këngë, 5 prej të cilave janë pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Theksojmë faktin se për këtë album Elvana ka vijuar bashkëpunimin me Pirro Çakon ndërsa tesktshkruese është vetë artistja.

Surpriza e këtij albumi është motra e artistes, Migena Gjata, në të cilin dy motrat kanë bashkuar fuqitë për këngën e titulluar “Vendi im“.

Çelu” vjen si një thirrje për të gjithë në këtë situatë të vështirë që gjendemi për shkak të pandemisë, duke na dhënë shpresë dhe se duhet të çelemi pasi ditë më të bukura do të vijnë.

Ndryshe nga java e kaluar, këtë javë Elvana ka pushtuar tre vendet e para, duke shënuar kështu një tripletë për herë të dytë.

“Mos u ngut”, “Drandofilt” dhe “Kunadhe” janë tre këngët që janë pozicionuar në tre vendet e para por nëse do të kthehemi pas në kohë, në prillin e vitit 2018-të, kur Elvana publikoi “3”, ajo ka qënë gjithashtu e renditur në tre vendet e para me “Xheloz”, “Me fal” dhe “Ti Shqipëri më jep nder”.