Efi Gjika është një ndër artistet më të reja në moshë në tregun shqiptar dhe jo vetëm, por njëkohësisht shumë e talentuar. Ajo ka publikuar së fundmi projektin e saj më të ri të titulluar “Bad Pics“, e cila përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm dhe që është bërë pjesë e “The Top List” këtë javë. Ajo ka qenë e ftuar në studion e “Live From Tirana” për të folur më shumë lidhur me këngën e saj dhe jo vetëm.

Si e kanë pritur njerëzit këngën e re “Bad Pics”?

“Bad Pics” është një nga këngët e mia të preferuara. Besoj se shumë njerëz e kanë pritur mirë, deri tani po shkon shumë mirë. Kisha kohë që merresha me të dhe isha pak nervoze. Edhe në YouTube ka ecur mirë me klikime.

Është dhe një këngë që përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm, apo jo?

Ka një mesazh shumë të rëndësishëm për të qenë vetevetja, të mos jemi si dikush tjetër. Edhe vetë unë ka momente kur do të doja të isha si dikush tjetër. Por ajo që ka rëndësi është të duash veten dhe të jesh gjithmonë vetvetja.

Ndërkohë karriera jote ka filluar në moshën 10-vjeçare…

Kur kam qenë 10 vjeçe kam marrë pjesë në Junior Eurovision që është mbajtur në Minsk. Ka qenë shumë emocionuese dhe ishte hera e parë që shihja një skenë aq të madhe me aq shumë njerëz.

Cila rrymë muzikore të pëlqen më shumë?

Më pëlqen shumë Pop-i, siç janë edhe këngët e mia, por edhe baladat, apo Rap-i. Nuk është se i këndoj por më pëlqen që t’i dëgjoj. 

Ti po merresh tanimë dhe me një cover nga Micheal Jackson, çfarë mund të na thuash rreth kësaj?

Unë në fakt kam të publikuara 10 këngë të miat dhe 10 covers. Coverin “Heal The World” nga Michael Jackson do e bëj për të dhënë një mesazh për të shëruar botën, ashtu si ka dhe shumë gjëra të ndryshme që po ndodhin, siç është lufta. Besoj se do të dali diçka shumë e bukur dhe mezi po e pres.

Cilat janë projektet e tua të ardhshme?

Kam dy covers dhe një këngë timen që do t’i publikoj në qershor. Kënga e re është me ca ‘summer vibes’ meqë jemi dhe në sezonin e verës. Nuk është më Pop por House. Mendova që të provoj një zhaner të ri dhe mezi po e pres.