Elhaida Dani me “Zanin” e saj arriti të korrte suksesin e dëshiruar brenda një periudhe shumë të shkurtër. Në muajin shtator të vitit të kaluar, Elhaida pulikoi albumin e saj të titulluar “ZanIN”, me të cilin ajo kishte kohë që punonte.

Albumi, i cili është i përbërë nga 5 këngë, nuk u prit mirë vetëm nga publiku, por gjithashtu edhe nga kolegët e saj. Artistja e njohur u shpreh se në këto projekte muzikore ka dhënë të gjithë shpirtin dhe ka dashur që të vijë 100% shqip. Jo vetëm kaq, por albumi “ZanIN” u bë dhe pikënisja e saj në familjen e madhe të “Top Awards”, ku ajo hyri për herë të parë.

Megjithatë, pas publikimit të albumit në shtator, Elhaida nuk solli më projekte të tjera dhe as nuk paralajmëroi se do të punonte në këngë të reja. Pra, me çfarë po merret artistja tani?

Fillimisht Elhaida nuk ka pushuar në asnjë moment dhe është gjithmonë pranë pasionit të saj të zjarrtë, muzikës. Kohët e fundit këngëtarja ndodhej në Seul, në Korenë e Veriut ku dhe po performon shfaqjen “Notre Dame de Paris” në rolin e Esmeraldës.

E kompozuar nga Riccardo Cocciante dhe e shkruar nga Luc Plamondon, “Notre Dame de Paris” përfundoi në fillim të janarit 2021 për shkak të pandemisë COVID-19, por së fundmi u kthye në Kore për performanca të reja, duke filluar shfaqjen e saj më 25 shkurt dhe duke e përfunduar më 18 mars.

Vetë Elhaida shprehu mirënjohjen e saj për këtë qytet në një postim në llogarinë e saj në Instagram, ku shkroi:

Seul, fleminderit për emocionet dhe dashurinë që më dhe mua dhe shfaqjes sonë këto dy vitet e fundit që po bëjmë turne nëpër teatrot e qytetit. Do të të mbaj gjithmonë pranë zemrës dhe shpresoj të shihemi së shpejti.

Pas publikimit të albumit të saj, na ka marrë malli të dëgjojmë sërish projekte të tjera nga Elhaida. Duke i uruar asaj sa më shumë suksese në skenat ndërkombëtare, shpresojmë të mos na duhet të presim dhe shumë që ta kemi sërish në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare.